Forcat iraniane të sigurisë arrestuan kreun e koalicionit të Frontit të Reformës dhe dy politikanë të tjerë reformistë të dielën me akuzat për veprim kundër kushtetutës, transmeton Anadolu.
Sipas raportimeve në mediat lokale, Azar Mansouri u ndalua së bashku me Ebrahim Asgharzadeh, kreun e komitetit politik të koalicionit, dhe Mohsen Aminzadeh, një ish-zëvendësministër i jashtëm.
Të tre akuzohen për “mbajtje qëndrimesh kundër kushtetutës” dhe “koordinim me propagandën armike”.
Fronti i Reformës konfirmoi ndalimet në një deklaratë të postuar në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.
Mansouri u zgjodh udhëheqës i Frontit të Reformës në vitin 2023 pas dorëheqjes së Behzad Nabavi për shkak të mbarimit të mandatit të tij dyvjeçar dhe moshës së vjetër.
