Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irani dërgon avion në Arabinë Saudite për të transferuar të evakuuarit nga...

Irani dërgon avion në Arabinë Saudite për të transferuar të evakuuarit nga Sudani

Irani dërgoi një aeroplan të shtunën në Arabinë Saudite për të transferuar shtetasit e tij të evakuuar nga Sudani për shkak të përleshjeve të vazhdueshme midis ushtrisë dhe grupit paraushtarak Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), transmeton Anadolu.

Televizioni Al-Arabiya i financuar nga Arabia Saudite raportoi se Irani dërgoi avionin për të marrë shtetasit që u sollën në Xhide nga Sudani me një anije që i përkiste Arabisë Saudite.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, tha më herët se 65 shtetas iranianë u sollën nga Khartumi në Port Sudan dhe më vonë u transferuan në portin e Xhides të Arabisë Saudite.

Kanaani falënderoi Arabinë Saudite për bashkëpunimin.

Të paktën 528 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4.500 janë plagosur në luftimet midis dy gjeneralëve rivalë – Abdel-Fattah Burhan, komandanti i forcave të armatosura, dhe Mohammed Hamdan Dagalo, kreu i RSF-së – që nga 15 prilli, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Sudanit.

Një mosmarrëveshje u shfaq muajt e fundit midis ushtrisë dhe paraushtarakëve mbi reformën e sigurisë ushtarake. Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri, një nga çështjet kryesore në negociatat e palëve ndërkombëtare dhe rajonale për një kalim në një sundim civil dhe demokratik në Sudan.

Sudani ka qenë pa një qeveri funksionale që nga tetori i vitit 2021, kur ushtria shkarkoi qeverinë kalimtare të kryeministrit Abdalla Hamdok dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në një veprim të cilësuar nga forcat politike si një “grusht shteti”.

Periudha kalimtare e Sudanit, e cila filloi në gusht 2019, ishte planifikuar të përfundonte me zgjedhjet në fillim të vitit 2024.

Exit mobile version