Irani tha sot se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa SHBA-ja të pranojë kushtet e Teheranit për rihapjen e rrugës ujore strategjike, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë gjysmë-zyrtare të lajmeve Mehr, zëdhënësi i ushtrisë iraniane, Mohammad Akrami-Nia tha se kontrolli i ngushticës duhet të vihet nën autoritetin e Iranit përpara se të rihapet.
Ai tha se Washingtoni duhet të respektojë kushtet e marrëveshjes kornizë të paqes të muajit të kaluar, të ndalojë ato që ai i quajti veprime armiqësore dhe të pranojë rregullat iraniane që rregullojnë ngushticën.
Akrami-Nia shtoi se veprimet e vazhdueshme ushtarake të SHBA-së nuk do ta detyrojnë Iranin të rihapë rrugën ujore. Deklarata e tij erdh pasi një valë e re shpërthimesh u raportuan në disa qytete iraniane pasi Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi sulme shtesë në vend.
CENTCOM-i tha se sulmet kishin në shënjestër aftësitë ushtarake iraniane të lidhura me kërcënimet ndaj anijeve që kalojnë tranzit në Ngushticën e Hormuzit, një arterie kyçe për tregtinë globale.
Sulmet erdhën në mes të tensioneve të përshkallëzuara midis SHBA-së dhe Iranit mbi Ngushticën e Hormuzit, me forcat amerikane që godasin Iranin dhe Teherani që përgjigjet me sulme ndaj bazave ushtarake amerikane në të gjithë rajonin, pavarësisht një marrëveshjeje kuadër të ndërmjetësuar nga Pakistani drejt arritjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.