Irani ka deklaruar se sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit që nga fillimi i luftës më 28 shkurt kanë goditur rreth 10 mijë objekte civile në vend.
Ambasadori i Iranit në OKB, Amir Saeid Iravani, tha se nga bombardimet janë shkatërruar afro 8 mijë shtëpi dhe të paktën 65 shkolla dhe institucione arsimore. Sipas tij, nga sulmet janë vrarë më shumë se 1,300 civilë.
Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë shtuar masat e sigurisë brenda vendit, duke arrestuar dhjetëra persona të dyshuar për spiunazh në favor të SHBA-së dhe Izraelit. Ministria e Inteligjencës njoftoi se është ndaluar edhe një shtetas i huaj i akuzuar për spiunazh dhe bashkëpunim me dy vende të Gjirit.
Mediat shtetërore iraniane raportojnë se gjatë ditëve të fundit janë arrestuar rreth 30 persona që dyshohet se kanë vepruar si agjentë ose bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe Izraelit, ndërsa policia iraniane njoftoi edhe ndalimin e 81 personave të tjerë për shpërndarje informacioni të brendshëm te media apo palë që konsiderohen armiqësore.
Në të njëjtën kohë, Rusia raportoi dëme në konsullatën e saj në qytetin iranian Isfahan pas një granatimi në zonë. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se shpërthimet thyen xhamat e zyrave dhe banesave të stafit diplomatik, por nuk pati viktima.
Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, duke bërë thirrje për ndaljen e luftimeve dhe respektimin e objekteve diplomatike.
Përshkallëzimi i konfliktit mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit ka rritur shqetësimet për destabilizim më të gjerë në rajon dhe për pasojat e rënda humanitare të luftës. /mesazhi
