Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irani zbulon muralin ku zotohet të kundërpërgjigjet nëse SHBA-ja e sulmon

Irani zbulon muralin ku zotohet të kundërpërgjigjet nëse SHBA-ja e sulmon

Një mural i ri, i zbuluar të dielën në një shesh qendror të Teheranit, përmban një paralajmërim të drejtpërdrejtë nga Irani ndaj Shteteve të Bashkuara që të mos ndërmarrë një sulm ushtarak ndaj vendit.

Imazhi i pikturuar i disa avionëve të dëmtuar në kuvertën e një aeroplanmbajtëseje mban sloganin: “Nëse mbjell erën, do të korrësh furtunën”, i shkruar si në persisht, ashtu edhe në anglisht.

Zbulimi i muralit në Sheshin Enghelab vjen në kohën kur aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln dhe anijet shoqëruese luftarake po lëvizin drejt rajonit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se anijet po zhvendosen “për çdo rast”, nëse ai vendos të ndërmarrë veprime. Sheshi Enghelab përdoret për tubime të thirrura nga shteti dhe autoritetet e ndryshojnë muralin sipas rasteve kombëtare.

Të shtunën, komandanti i Gardës Revolucionare paraushtarake të Iranit paralajmëroi se forca e tij është “më e gatshme se kurrë, me gishtin në këmbëz”.

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur ndjeshëm pas një shtypjeje brutale të protestave mbarëkombëtare, ku mijëra njerëz u vranë dhe dhjetëra mijëra u arrestuan. Trumpi kishte kërcënuar me veprime ushtarake nëse Irani do të vazhdonte të vriste protestues paqësorë ose do të kryente ekzekutime masive të të arrestuarve.

Prej disa ditësh nuk ka pasur protesta të tjera, dhe Trumpi ka deklaruar së fundmi se Teherani ka ndalur ekzekutimin e rreth 800 protestuesve të arrestuar, një pretendim që prokurori i përgjithshëm i Iranit e ka quajtur “plotësisht të rremë”.

Exit mobile version