Autoritetet iraniane kanë zhvilluar një ceremoni përkujtimore për ish-udhëheqësin suprem Ali Khamenei në kryeqytetin Teheran, transmeton Anadolu.
Një numër i madh zyrtarësh politikë, ushtarakë dhe fetarë morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në Xhaminë Imam Khomeini në veri të Teheranit.
Në mesin e pjesëmarrësve ishin presidenti Masoud Pezeshkian, komandanti i Forcave Kuds, Esmail Qaani, si dhe djemtë e Khameneit, Mostafa, Masoud dhe Meysam, së bashku me ish-presidentin Mahmoud Ahmadinejad.
Ahmadinejad ka mohuar një raport të The New York Times, sipas të cilit shërbimi inteligjent izraelit Mossad kishte kërkuar ta rekrutonte atë dhe se ai ndodhet nën arrest shtëpiak.
Khamenei, i cili udhëhoqi Iranin për gati 36 vjet, u vra në një sulm të përbashkët SHBA-Izrael më 28 shkurt, në fillim të një ofensivë të përbashkët të Washingtonit dhe Tel Avivit kundër Teheranit. Ai u varros javën e kaluar në Mashhad, në verilindje të Iranit.
Irani dhe SHBA-ja muajin e kaluar nënshkruan një memorandum mirëkuptimi të ndërmjetësuar nga Pakistani, me synim përfundimin e luftës së tyre dhe hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje.
Megjithatë, tensionet mes dy rivalëve janë përshkallëzuar ditët e fundit, me të dyja palët që kanë shkëmbyer sulme në mes të tensioneve lidhur me transportin detar në Ngushticën e Hormuzit.
