Ish-lideri i Rajonit Autonom të Katalonjës, Carles Puigdemont, është dorëzuar tek autoritetet e policisë belge, transmeton Anadolu Agency (AA).
Puigdemont, ndodhej në arrati pasi ndaj tij kishte një urdhër arresti në të gjithë Evropën nga Spanja.
Avokati i Puigdemont në një deklaratë për mediat belge tha se lideri katalonjas në orët e para të mëngjesit ka shkuar me vullnetin e tij për të dhënë deklaratë në stacionin e policisë.
Gjykata e Lartë spanjolle ka lëshuar për herë të tretë urdhër arresti në Evropë ndaj Puigdemont i cili thuhet se ka deklaruar se nuk dëshiron të kthehet në Spanjë dhe se i beson drejtësisë belge.
– Procesi në Katalonjë
Me 12 qershor përfundoi gjyqi katër-mujor ndaj 12 politikanëve katalonjas dhe liderëve të organizatave jo-qeveritare që ishin në gjykim për organizimin e referendumit të pavarësisë së Rajonit Autonom të Katalonjës, i cili u zhvillua pavarësisht se ishte shpallur i paligjshëm nga Spanja.
Lidhur me referendumin për pavarësi i cili u zhvillua më 1 tetor 2017 në qeverinë autonome të Katalonjës pavarësisht se u shpall i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese, ndodheshin në gjykim 12 të akuzuar nga të cilët 9 prej tyre nën masën e arrestit dhe 3 në gjendje të lirë.
Ndaj të akuzuarve kërkohej dënimi nga 7 deri në 25 vjet burg me akuzat për “rrëzimin pjesërisht ose plotësisht me dhunë të rendit kushtetues”, “pengimin e zbatimit të ligjit”, “mosbindje ndaj institucioneve shtetërore” dhe “shpërdorim të pronës publike”.
Puigdemont në tetor 2017 u arratis në Belgjikë. Gjykata e Lartë në Spanjë në fillim të javës lëshoi për herë të tretë një urdhër arresti në Evropë për Puigdemont.