Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ish-shefi i NATO-s: Siguria kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar “në rrezik”

Ish-shefi i NATO-s: Siguria kombëtare e Mbretërisë së Bashkuar “në rrezik”

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, George Robertson, pritet të paralajmërojë qeverinë britanike se siguria kombëtare e vendit është në rrezik, transmeton Anadolu.

Siç raporton BBC, gjatë një fjalimi në qytetin anglez Salisbury, Robertson, i cili shërbeu si sekretari i 10-të i përgjithshëm i NATO-s nga viti 1999 deri në 2003, do të akuzojë “ekspertët jo-ushtarakë në Thesar” për “vandalizëm”.

Robertson, ish-ministër i Mbrojtjes nga Partia Laburiste dhe autor i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes (SDR), më parë ka thënë për “Financial Times” se kryeministri Keir Starmer “nuk është i gatshëm të bëjë investimin e nevojshëm”.

Një zëdhënës i qeverisë, citohet nga BBC, ka thënë se SDR-ja ishte e “mbështetur nga rritja më e madhe e vazhdueshme e shpenzimeve për mbrojtjen që nga Lufta e Ftohtë, me një total prej mbi 270 miliardë paundësh (366 miliardë dollarë) që do të investohen gjatë këtij mandati parlamentar”.

Robertson pritet të paralajmërojë në fjalimin e tij se “ne nuk mund ta mbrojmë Britaninë me një buxhet mirëqenieje që zgjerohet vazhdimisht”.

“Jemi të papërgatitur. Jemi të pasiguruar. Jemi nën sulm. Nuk jemi të sigurt. Siguria dhe mbrojtja e Britanisë janë në rrezik”, do të paralajmërojë ai.

Ai do të thotë se ekziston një “vetëkënaqësi gërryese” në udhëheqjen politike të Britanisë, duke shtuar se ndërsa flitet për rreziqet dhe kërcënimet, veprimet konkrete ende mungojnë.

Shpenzimet për mbrojtjen vitin e kaluar ishin 2,3 për qind e prodhimit bruto të brendshëm ose pothuajse 90 miliardë dollarë, ndërsa qeveria synon t’i rrisë ato në 3 për qind deri në fund të mandatit të ardhshëm parlamentar dhe në 3,5 për qind për mbrojtjen bazë deri në vitin 2035.

Sipas raportit, Rishikimi Strategjik i Mbrojtjes, i publikuar në qershor të vitit të kaluar, përfshinte 62 rekomandime të pranuara nga qeveria, por detajet e financimit ende nuk janë përcaktuar.

Veçmas, duke folur për BBC-në, gjenerali Sir Richard Barrons, një tjetër autor i SDR-së, u pajtua me Robertsonin, duke theksuar se “ekziston një hendek i madh mes asaj ku duhet të jemi për ta mbajtur vendin të sigurt në botën ku jetojmë tani dhe asaj ku jemi në të vërtetë”.

Duke parë përpara, ai tha se aleanca mund të shohë “një NATO evropiane që bën shumë më tepër dhe SHBA-në që bën shumë më pak”.

Exit mobile version