Ballina Uncategorized Islami ndalon vrasjen e njerëzve të pafajshëm

Islami ndalon vrasjen e njerëzve të pafajshëm

Shejh Jusuf Kardavi (r.a)

Asnjë fe nuk mund ta lejojë vrasjen, madje, juristët islamë janë unanim se Sheriati islam u vu në mbrojtjen e pesë domosdoshmërive, pa të cilat nuk ka jetë, e ato janë: feja, shpirti, mendja, origjina dhe pasuria.

Pse të vritet njeriu?

Për çfarë arsyeje vret njeriu tjetrin? Disa thonë se shkaqet kryesore janë: kriza ekonomike, dukuritë shoqërore, shkaqet psikike etj.. Unë them se këto nuk janë shkaqet kryesore, veçse shkaku kryesor është motivi mendor, sepse pas kësaj ekzistojnë mendime të çrregulluara, mendje që e kanë kuptuar Islamin gabimisht, Kur’an lexojnë me gjuhët e tyre, por mendjet e tyre nuk e kuptojnë, i thërrasin idhujtarët, e i vrasin myslimanët. Prandaj, është obligim i dijetarëve dhe thirrësve myslimanë që atyre t’ua mësojnë Islamin e vërtetë, t’i kthejnë në rrugën e drejtë të Zotit, t’i këshillojnë me urtësi dhe butësi.

Ndalohet frikësimi i njerëzve

Në një hadith tregohet se njëherë disa ashabë, bashkë me Pejgamberin a.s., ishin duke udhëtuar, dhe njërin prej tyre e kishte kotur gjumi mbi devenë e tij. Këtë e vunë re disa nga ashabët dhe ia morën një shigjetë nga çanta e tij, në mënyrë që, pasi të zgjohej, ta kërkonte shigjetën, dhe, kur të mos e gjente, të frikësohej.
Kur u zgjua ashabi, u frikësua, dhe atë e kishte vënë re Pejgamberi a.s., e paska thënë: “Nuk lejohet që myslimani ta frikësojë myslimanin”. (Ebu Davudi dhe Taberaniu nga Nu’man in Beshiri r.a.). Madje, qoftë edhe për shaka dhe tallje.
Gjithashtu tregohet se një njeriu i kishin humbur këpucët e tij, (ato ia kishte fshehur një shok i tij), dhe ai, i frikësuar, filloi t’i kërkonte, e Pejgamberi a.s., kur e pa në atë gjendje, tha: “Mos e frikësoni myslimanin, sepse frikësimi i myslimanit është padrejtësi e madhe”. (Bezzari dhe Taberaniu nga Amir ibn Rebiah).
Madje, Muhamedi a.s. e qorton myslimanin i cili nxjerr nga këllëfi shpatën e tij kundër tjetrit, duke thënë: “Ai që heq nga këllëfi shpatën e tij kundër nesh (na shpall luftë), nuk është prej nesh”. (Ahmedi dhe Muslimi nga Selemeh in El-Ekvew). Gjithashtu ai thotë: “Të mos marrë në shënjestër ndonjëri prej jush me armë drejt vëllait të tij, sepse ai nuk e di, ndoshta shejtani do t’ia tërheqë dorën e tij (do të shtjerë me armë), e të bjerë në ndonjë gropë të zjarrit”. (Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra r.a.).
Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet: “Atë që merr në shënjestër vëllain e tij me ndonjë gjë prej hekuri, engjëjt do ta mallkojnë atë derisa të përfundojë, madje edhe nëse vëllai i tij është prej babe ose prej nëne”. (Muslimi nga Ebu Hurejra r.a.).
Muhamedi a.s. ka thënë: “Mos u ktheni në mosbesim pas meje (vdekjes sime), duke vrarë njëri-tjetrin”. (Buhariu, Muslimi, Ahmedi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe nga Xheriri r.a.).
Gjithashtu tha: “Sharja e myslimanit konsiderohet paturpësi, ndërsa mbytja e tij mosbesim”. (Buhariu, Muslimi, Ahmedi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe nga Ibn Mes’udi r.a.).
Pejgamberi a.s. ka thënë: “Ka mundësi që Allahu të falë çdo mëkat, përveç njeriut që vdes si idhujtar, ose njeriut që mbyt besimtarin qëllimisht”. (Ebu Davudi dhe Ibn Hibbani nga Ebu Ed-Derda r.a.).
Ndërsa Allahu xh.sh. thotë “Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Allahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh” (En-Nisa, 93). Asnjë fe nuk mund ta lejojë vrasjen, madje, juristët islamë janë unanim se Sheriati islam u vu në mbrojtjen e pesë domosdoshmërive, pa të cilat nuk ka jetë, e ato janë: feja, shpirti, mendja, origjina dhe pasuria. E para është feja, e pastaj shpirti. Allahu xh.sh. thotë: “Dhe mos e mbytni njeriun që Allahu e ka ndaluar (mbytjen e tij), përveç me drejtësi (që e kërkon sheriati). E kush mbytet pa të drejtë (pa faj), kujdestarit të tij Ne i kemi dhënë të drejtë (të kërkojë drejtësinë), e ai të mos e kalojë kufirin në mbytje derisa ai është i ndihmuar (prej Zotit)” (El-Isra, 33).

Ndalohet marrja peng e njerëzve të pafajshëm

Islami ndaloi marrjen peng të njerëzve të pafajshëm si siguri, derisa të pranohet dhe të plotësohet kushti i tyre. Njeriu nuk duhet të mbahet peng për shkak të fajit të tjetrit. Ndërsa ata që i rrëmbejnë avionët ose anijet dhe i kërcënojnë të tjerët me fjalët: Nëse nuk na plotësoni këto kushte, ose nëse nuk na jepni kaq para, – do t’i vrasim të gjithë ata që janë brenda!
Çfarë faji kanë të rrëmbyerit?
Sipas Islamit, kjo nuk lejohet. Nuk lejohet të kërcënohet njeriu i pafajshëm për shkak të fajit të tjetrit. Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj: “A të kërkojë Zot pos Allahut, e Ai është Zot i çdo sendi (ekzistues) dhe dëmi i secilit person është kundër vetes. Askush nuk do ta bartë barrën e tjetrit. Mandej, kthimi juaj është te Zoti juaj; e Ai ju njofton për atë që përçaheshit (El-En’am, 164). Kjo çështje ka qenë e vendosur edhe në mesazhet hyjnore të mëparshme: “Apo nuk është informuar me atë që është në fletushkat e Musait. Dhe të Ibrahimit, që gjithnjë i plotësoi obligimet (Që në to shkruan) Se askush nuk e bartë barrën e (mëkatit) tjetrit. (En-Nexhm, 36-38).
Tregohet se në kohën e Haxhaxh ibn Jusuf Eth- Thekafiut, i cili njihej për tirani dhe ashpërsi, ishte arrestuar një njeri, të cilin e sollën para këshillit gjykues. Haxhaxhi pyeti se cili ishte faji i tij. Ai iu përgjigj: Njëri nga familjarët e mi bëri një krim, e kërkuan atë dhe, pasi nuk e gjetën, në vend të tij më arrestuan mua. Haxhaxhi i recitoi disa vargje të një poeti që thoshte se, nëse nuk arrestohet fajtori, atëherë të arrestohet ndonjëri nga familjarët e tij. Ndërkohë i arrestuari i tha: O udhëheqës, nëse poeti thotë kështu, unë e kam dëgjuar Allahun duke thënë ndryshe. Haxhaxhi i thotë: Më trego se ç’thotë Allahu? Ai i tha: Allahu xh.sh. përmend rastin e vëllezërve të Jusufit a.s., që i kishin thënë atij: “O zotëri, ai e ka babanë shumë plak, andaj merr ndonjërin prej nesh në vend të tij! Ne po shohim se ti je prej atyre që bëjnë mirë. Ai (Jusufi) tha: Allahu na ruajttë, si të marrim atë tjetrin në vend të atij te i cili e kemi gjetur sendin tonë! Atëherë, ne, me të vërtetë, do të ishim të padrejtë!”. (Jusuf, 78-79). Kur i dëgjoi këto fjalë, Haxhaxhi tha: “E ka thënë të vërtetën Allahu, ndërsa ka gënjyer poeti”! Më pas urdhëroi për lirimin e tij.

Shenjtëria e jetës

Jeta e njeriut tek Allahu xh.sh. është gjëja më madhështore se çdo gjë tjetër. Muhamedi a.s. thotë: “Zhdukja e kësaj bote është më e lehtë për Allahun sesa mbytja e besimtarit pa të drejtë” (Nesaiu dhe Tirmidhiu), sepse Allahu është Ai që e krijoi këtë njeri, prandaj asnjë krijesë nuk mund ta shkatërrojë atë, askush nuk mund t’ia marrë shpirtin përveç Atij që ia ka dhuruar, në kohën që ia ka caktuar atij. Në kohën tonë, vërejmë ngjarje të ndryshme vrasjesh, dëgjojmë sesi prindi mbyt fëmijët e vet, burri mbyt gruan e tij, gruaja mbyt burrin e vet, vëllai mbyt
vëllain e vet, mbyt hallën, tezen, etj.! Të gjitha këto ndodhin për shkak të kësaj bote për të cilën luftojnë njerëzit, saqë njeriu të vrasë edhe më të afërmin e tij. Në ditët e sotme vërejmë se ekzistojnë të atillë që mbysin vajza a djem të vegjël, mbysin njerëz ose i presin me thikë derisa të vdesin, për shkak të arit ose pasurisë që ata posedojnë në shtëpitë e tyre. Njeriut të sotëm nuk i vjen keq për derdhjen e gjakut të tjetrit ose për mbytjen e tij. Kjo dëshmon se shoqëria jonë po pëson rënie të madhe, madje njeriu është bërë edhe më i keq se egërsira, sepse egërsira nuk e mbyt tjetrën përveç nëse është e uritur. Pra, egërsirat janë më të mëshirshme se disa njerëz të sotëm.

Vrasja e turistëve të huaj

Në kohën tonë, gjithashtu vërejmë dukurinë e vrasjes së të huajve që vijnë për t’i vizituar vendet tona myslimane si turistë ose tregtarë, sado që, edhe pse janë jomyslimanë, atyre u takon siguria dhe besëdhënia nga shteti islam për moscenimin e jetës apo pasurisë së tyre. Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush mbyt një muahed (jomysliman që bën marrëveshje dhe merr besë prej shtetit islam), ai nuk do ta nuhasë erën e Xhennetit, edhe pse era e tij ndihet në largësi prej dyzet vjetësh”. (Buhariu nga Abdullah ibën Amri r.a.). Ata e kanë besën, ndërsa ne jemi të urdhëruar ta zbatojmë besën e dhënë. Ç’faj kanë civilët të cilët nuk na kanë luftuar, që t’i luftojmë?

Etika islame në luftë

Islami është i matur në vrasje, qoftë edhe në luftërat zyrtare kundër tij dhe armiqve të tij.
Për këtë arsye, edhe këshillat e Muhamedit a.s. dhe të shokëve të tij, kur i nisnin ushtarët për ndonjë betejë, ishin: Mos vrisni të moshuar, as fëmijë e as gra, mos shkatërroni shtëpi, mos pritni pemë, mos digjni asgjë përgjatë rrugës suaj, përveç atyre gjërave që i kërkon lufta domosdo. Prandaj, myslimanët janë përshkruar si më të mëshirshmit gjatë luftërave. Madje, Gustaf Luboni kishte thënë: “Historia nuk njeh çlirimtarë më të drejtë e më të mëshirshëm se arabët-myslimanët”.”Në kohën e Ebu Bekrit r.a., një komandant i ushtrisë së myslimanëve, nëpërmjet përfaqësuesit të tij, kishte dërguar kokën e prerë të një komandanti armik në një pako tek Ebu Bekri r.a.. Kur e hapi pakon Ebu Bekri r.a., pa kokën e prerë të njeriut të mbytur. Tha: Allahu na ruajttë, ç’është kjo? I thanë: O Halife i të Dërguarit të Allahut, ata me ne veprojnë njësoj. Kur të vritet ndonjëri prej komandantëve tanë, persianët dhe romakët ia presin kokën e tij dhe ua dërgojnë mbretërve ose perandorëve të tyre, për t’i përgëzuar me këtë, prandaj edhe ne i kemi trajtuar njëlloj. Ebu Bekri r.a. tha: A të marrim shembull nga persianët dhe romakët? Për Zotin, sot e tutje, të mos më sjellë ndonjëri prej jush kokën e dikujt”. (Abdurrezaku në Musannef dhe Bejhekiu në Sunen El-Kubra). Si mund t’i afrohet Allahut një njeri duke i vrarë civilët, duke i eksploduar veturat nëpër rrugë? Gjithashtu, Islami nuk i përkrah grupet e armatosura, që thonë se janë myslimanë e i vrasin pa të drejtë njerëzit e pafajshëm, mbysin civilët e paarmatosur. Islami e refuzon këtë, sepse gjaku është i mbrojtur, jeta respektohet, ndërsa Kur’ani e vërteton atë që është thënë në fetë e mëparshme, – se vrasja e njeriut pa të drejtë konsiderohet krim i madh: “Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t’i kishte mbytur gjithë njerëzit. E kush e ngjall (bëhet shkak që të jetë ai gjallë) është si t’i kishte ngjallur (shpëtuar) të gjithë njerëzit. Atyre (beni israilëve) u erdhën të dërguarit Tanë me argumente, mandej edhe pas këtij (vendimi) shumë prej tyre e teprojnë (kalojnë kufijtë në mbytje) në këtë tokë” (El-Maide, 32).
Nuk duhet të sulmohen e të vriten ata që nuk e meritojnë vrasjen, por duhet të luftohen ata që na luftojnë, siç ka thënë Allahu xh.sh.: “Dhe luftoni në rrugën e All-llahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën)” (El- Bekare, 190). Transmeton Ibn Xherri Et-Taberiu nga Ibn Abbasi r.a., se ai e komentoi fjalën e Allahut “por mos e kaloni kufirin”: Mos i mbytni gratë, të moshuarit dhe fëmijët”. Islami e ndalon vrasjen e njerëzve qëllimisht jashtë luftës, që nuk kanë bërë çrregullime në Tokë, nuk kanë bërë asgjë që të lejohej vrasja e tyre.Madje Pejgamberi a.s., edhe gjatë luftërave, ndalonte mbytjen e njerëzve që nuk merrnin pjesë në luftë. Në një betejë, Muhamedi a.s. pa një grua të mbytur, dhe e kundërshtoi një veprim të tillë duke thënë: “Kjo nuk është prej atyre që të ketë luftuar”. (Ebu Davudi dhe Ibn Maxhe), pastaj, Pejgamberi a.s. ndaloi mbytjen e grave dhe fëmijëve.
Ndërsa Ebu Bekri r.a. ndaloi mbytjen e murgjve, duke u thënë ushtarëve të tij: “Do të gjeni njerëz që i kanë mbyllur vetjet e tyre në qelitë e manastireve, lini e mos i mbytni ata”.
Omeri r.a. kishte ndaluar vrasjen e bujqve, një gjë që e miratuan edhe shumë juristë myslimanë. Ashabët, kur i çlironin vendet në Irak, Sham e Egjipt, bujqit i linin të lirë; nuk kishte ndodhur që ndonjë bujk të ishte vrarë në arën e vet.
Jurisprudenca islame (fikh’u) ndaloi mbytjen e atyre që nuk luftojnë, si: murgjit, të sëmurët kronikë, invalidët, të verbrit dhe personat me aftësi të kufizuara. Asnjëri prej këtyre grupeve nuk duhet të vriten, përveç nëse marrin pjesë në luftë në mënyrë indirekte, si p.sh. japin mendime ose ndihmojnë ushtrinë. Gjithashtu, edhe i moshuari që merr pjesë në luftë në mënyrë indirekte, me mendimet dhe shkathtësinë e tij, me ndihmën për ushtrinë (kundërshtare), konsiderohet luftëtar dhe lejohet vrasja e tij.

 

Nga arkiva
Dr. Jusuf El-Kardavi (r.a)
Përktheu: Mr. Faruk Ukallo,
(Burimi: “Predikimet e Shejh El-Kardavit”, përgatitur nga Halid Essa’d, mektebetu vehbeh, Kajro, vëll. III dhe VI).
/islamgjakova

Exit mobile version