Islami synon që ithtarët e tij të bëjnë përpjekjet maksimale që kanë në dispozicion në adhurimet e tyre, në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe në të gjitha aspektet e jetës së tyre. E gjithë kjo përmblidhet në fjalën e Allahut të Lartësuar: “Prandaj, kijeni frikë Allahun sa të mundeni!”[1] . Qytetërimi islam nuk do të kishte arritur këtë nivel të paprecedentë në historinë njerëzore, brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore, po të mos ishte përpjekja e pandërprerë, puna e palodhur dhe angazhimi maksimal i ithtarëve të tij. E gjithë kjo vjen pas faktit që ata i përmbaheshin, aq sa kishin mundësi, metodologjisë hyjnore.
Ndonëse te juristët koncepti i ixhtihadit kufizohet në përpjekjen maksimale për të arritur te dispozita sheriatike, ky koncept, siç e kemi paraqitur më sipër, shtrihet në të gjitha aspektet e jetës: në atë të dukshëm e të brendshëm, në atë privat e publik. Kështu, myslimani përpiqet të pastrojë zemrën e tij, të përmirësojë marrëdhëniet me Zotin dhe me njerëzit përreth, të zhvillojë vetveten dhe të ndërtojë e të zhvillojë botën.
Ndër fushat e ixhtihadit, e cila duhet të jetë tipar i pandashëm i besimtarit, ne veçojmë ixhtihadin në sferën e fikhut. Ky nuk ka qenë kurrë një luks intelektual, me të cilin muxhtehidët merren për t’u argëtuar gjatë kohës së lirë. Përkundrazi, ai ka qenë gjithmonë një nevojë e domosdoshme dhe një shprehje e qartë e aftësisë së Sheriatit për t’iu përgjigjur nevojave të çdo kohe dhe vendi, si dhe për t’i përmirësuar ato. Ai është gjithashtu dëshmi e frytshmërisë së mendësisë së formuar në dritën e Kuranit dhe Sunetit, e cila ndjek metodologjinë e meditimit të thellë mbi Kuranin dhe të reflektimit mbi gjithësinë. Synimi i ixhtihadit është që udhëzimet hyjnore në çështjet që lidhen me individin, shoqërinë dhe gjithësinë të njihen nga njerëzit dhe të zbatohen mes tyre.
Edukimi profetik përmes ixhtihadit
Në përpjekje për të formuar myslimanin që angazhohet në ixhtihad, Profeti (a.s) i pyeti Ebu Bekrin dhe Omerin se cili do të ishte veprimi i përshtatshëm ndaj robërve të luftës të zënë në betejën e Bedrit, duke u thënë: “Çfarë mendoni të veprojmë në lidhje me këta robër?”[2]
Fakti që ai (a.s) ishte profet, të cilit i shpallej mesazhi hyjnor, si dhe komandant i ushtrisë, ia mundësonte të merrte vendim për robërit pa u konsultuar me shokët e tij. Megjithatë, ai (a.s) i hapi atyre rrugën e ixhtihadit në këtë çështje, e cila lidhej, nga njëra anë, me fenë dhe, nga ana tjetër, me jetën e kësaj bote. Kjo bëhej me qëllim që ata të stërviteshin të bënin përpjekjen maksimale intelektuale për të arritur te mendimi sa më pranë së saktës.
Ixhtihadi i sahabëve në praninë e tij (a.s) mund të ishte i saktë, por mund të kërkonte edhe të korrigjohej. Dobija e kësaj ishte që tek ata të formohej aftësia për të ushtruar ixhtihadin në çështjet e fesë dhe të jetës së kësaj bote, në mënyrë që, pas ndarjes nga jeta të Profetit (a.s), të ishin në gjendje të ecnin sipas metodologjisë profetike.
Shembuj të ixhtihadit të sahabëve gjatë jetës së Profetit (a.s)
Në jetëshkrimin e Profetit (a.s) kanë ndodhur shumë ngjarje që dëshmojnë njohuritë e thella në fikh dhe ixhtihadin e sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me ta, gjatë jetës së Profetit (a.s). Ky ixhtihad ushtrohej si në praninë e tij (a.s), ashtu edhe kur ata ndodheshin larg tij dhe më pas ktheheshin tek ai, në mënyrë që ai të gjykonte nëse ixhtihadi i tyre ishte i saktë apo i gabuar.
Ibn el-Xheuziu ka thënë: “Gjatë jetës së të Dërguarit të Allahut (a.s), katërmbëdhjetë prej sahabëve të tij jepnin fetva, ata ishin: Ebu Bekri, Omeri, Othmani, Aliu, Abdurrahman ibn Aufi, Ibn Mes’udi, Amar ibn Jasiri, Ubej ibn Ka’bi, Muadh ibn Xhebeli, Hudhejfeja, Zejd ibn Thabiti, Ebu Dardaja, Selmani dhe Ebu Musa el-Esh’ariu. Për këtë arsye, kur ai personi i tha të Dërguarit të Allahut (a.s): “Kam pyetur disa njerëz të dijes dhe ata më kanë njoftuar se djali im duhet të marrë njëqind goditje me kamxhik”, i Dërguari i Allahut (a.s) nuk e kundërshtoi fetvanë e dhënë nga dikush tjetër gjatë kohës së tij, sepse ajo buronte nga i Dërguari dhe ishte marrë prej mësimdhënies së tij.”
Nëse më sipër pamë se Profeti (a.s) i nxiste sahabët të ushtronin ixhtihad për çështjet që i dilnin përpara tërë umetit, ata kishin fituar guximin për të ushtruar ixhtihad edhe në praninë e tij (a.s), duke respektuar njëkohësisht kufijtë e mirësjelljes. Madje, këtë guxim të madh e vërejmë në fjalët e Ebu Bekrit (r.a) “Jo, për Allahun! Ai nuk duhet t’ia japë atë një kurejshi të dobët (një njeriu të dobët), duke lënë mënjanë një luan prej luanëve të Allahut, i cili lufton për Allahun dhe të Dërguarin e Tij (a.s)”. Transmetuesi thotë: “Atëherë, i Dërguari i Allahut (a.s) u ngrit dhe ia dorëzoi atë mua.”
Kështu, Profeti (a.s) e pranoi ixhtihadin e Ebu Bekrit dhe iu përgjigj kërkesës së tij, duke ia dorëzuar pasurinë atij për të cilin Ebu Bekri kishte gjykuar se i takonte.
Historia e ezanit dhe ixhtihadi i sahabëve
Madje, sahabët ia paraqisnin Profetit (a.s) ixhtihadet e tyre edhe përpara se ai t’ua kërkonte. Kjo vërehet në çështjen e namazit, i cili është ndër veprat më të mira, si dhe në njoftimin për hyrjen e kohës së tij, që përbën një nga simbolet e Islamit.
“Profeti (a.s) u shqetësua për namazin dhe për mënyrën se si t’i mblidhte njerëzit për të. Atij iu propozua që, kur të hynte koha e namazit, të ngrihej një flamur, në mënyrë që, kur ta shihnin, njerëzit të njoftonin njëri-tjetrin. Por kjo nuk i pëlqeu. Më pas, atij iu përmend kun’u, domethënë sh-shabburi (boria). Zijadi tha: “Boria e hebrenjve” [bori]. Edhe kjo nuk i pëlqeu dhe tha: “Kjo është pjesë e praktikave të hebrenjve”. Pastaj iu përmend nakusi [një copë e gjatë druri, që goditet me një copë më të shkurtër; sot është këmbana e njohur]. Ai tha: “Kjo është pjesë e praktikave të të krishterëve”. Atëherë, Abdulla ibn Zejd ibn Abdi Rabbihi u largua, ndërkohë që ishte i shqetësuar për shqetësimin e të Dërguarit të Allahut (a.s). Në ëndërr iu shfaq ezani. Të nesërmen në mëngjes, ai shkoi te i Dërguari i Allahut (a.s) dhe e njoftoi për atë që kishte parë. Ai i tha: “O i Dërguari i Allahut! Ndërsa isha mes gjumit dhe zgjimit, dikush erdhi tek unë dhe ma mësoi ezanin”. Ndërkohë, Omer ibn Hatabi e kishte parë të njëjtën gjë edhe më parë, por e kishte mbajtur të fshehtë për njëzet ditë. Më pas, ai e njoftoi Profetin (a.s). Profeti i tha: “Çfarë të pengoi të më njoftoje?” Omeri u përgjigj: “Abdulla ibn Zejdi më parapriu, ndaj u turpërova”. Atëherë, i Dërguari i Allahut (a.s) tha: “O Bilal, ngrihu dhe shiko se çfarë të urdhëron të bësh Abdullahu ibn Zejdi, pastaj vepro sipas udhëzimeve të tij”[3]
Kështu pra, ne vërejmë se ixhtihadet e sahabëve lidhur me mënyrën e njoftimit të njerëzve për hyrjen e kohës së namazit nuk i pëlqyen Profetit (a.s). Megjithatë, refuzimi i tij ndaj këtyre ixhtihadeve nuk i pengoi ata të paraqisnin një propozim të dytë e më pas një të tretë, derisa Allahu i Lartësuar ua bëri të njohur ezanin.
Ixhtihadi i sahabëve kur ndodheshin larg Profetit (kuptimi i objektivave)
Ixhtihadet e shokëve të Profetit (a.s) na zbulojnë shkallën e kuptimit që ata kishin për objektivat e Sheriatit dhe vlerat e larta të Islamit. Një shembull i kësaj është ajo që kuptoi Amër ibn el Asi (r.a) lidhur me pozitën e lartë që zë ruajtja e jetës njerëzore në Sheriatin islam.
Transmetohet nga Amër ibn e Asi (r.a) se i Dërguari i Allahut (a.s) e caktoi atë komandant të ushtrisë së Dhatu-s Selasilit. Në këtë ushtri kishte një grup muhaxhirësh dhe ensarësh, ndër të cilët edhe Omeri ibn Hatabi (r.a). Një natë, kur bënte shumë ftohtë, Amër ibn el Asi përjetoi një ëndërr të lagësht. Ai pati frikë se mund të vdiste nëse lahej, prandaj mori abdes dhe u priu shokëve të tij në namaz. Kur ushtria u kthye, Omeri ibn el Hatabi doli përpara dhe u ankua për Amër ibn el Asin, derisa tha: “Ai na priu në namaz duke qenë xhunub”. I Dërguari i Allahut (a.s) nuk iu përgjigj Omerit. Kur mbërriti Amri, ai hyri tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe filloi t’i tregonte për veprimet e tij gjatë ekspeditës. Profeti (a.s) e pyeti: “A u fale duke qenë xhunub, o Amër?” Ai u përgjigj: “Po, o i Dërguari i Allahut! Më ndodhi ihtilam në një natë aq të ftohtë, saqë nuk kisha përjetuar kurrë një të ftohtë të tillë. E gjeta veten përballë dy mundësive: ose të lahesha dhe të vdisja, ose të përfitoja nga lehtësimi që më kishte dhënë Allahu i Madhërishëm. Zgjodha të përfitoja nga lehtësimi i Allahut të Madhërishëm, sepse e dija se Allahu i Madhërishëm është më i Mëshirshëm ndaj meje. Prandaj mora abdes dhe u fala”
Amri e kuptoi se Allahu i Lartësuar është më i Mëshirshmi ndaj robërve të Tij dhe nuk i ngarkon ata me atë që mund t’i shkatërrojë. Robërit duhet ta kenë frikë Allahun e Lartësuar aq sa kanë mundësi. Profeti (a.s) e vlerësoi ixhtihadin e Amrit (r.a) duke i thënë: “Ke vepruar drejt! Nuk do të doja që të kishe lënë pa bërë asgjë nga ajo që bëre. Sikur të kisha qenë mes atyre njerëzve, do të kisha vepruar njësoj si ti.”
Kushtet dhe mjetet e ixhtihadit
Është e domosdoshme që të zotërohen mjetet e nevojshme për ixhtihadin. Askush nuk mund të ndërmarrë riparimin e një defekti elektrik pa pasur më parë njohuri për qarqet elektrike, lidhjet dhe trashësinë e përshtatshme të secilit tel nëpër të cilin kalon rryma. Kjo sepse çdo gabim, sado i vogël qoftë, mund të shkaktojë dëme të sigurta ose vdekje të menjëhershme, rrezik nga i cili ruhet çdo njeri i arsyeshëm.
Nëse e krahasojmë rrezikun që vjen nga ndërhyrja në qarqet elektrike pa njohuritë e nevojshme me rrezikun që vjen nga trajtimi i teksteve sheriatike pa dije, do ta kuptojmë se sa shumë e shkatërron njeriu veten kur futet në thellësitë e një deti pa ditur si të përballet me të.
Është vërtet e çuditshme të shohësh dikë që nuk është në gjendje të lexojë saktë një fjalë dhe nuk arrin të dallojë midis fjalës “xhemeahu”, që do të thotë “e mblodhi”, dhe fjalës “xhumua”, që është një nga emërtimet e ditëve të javës dhe përdoret gjithashtu si emër njeriu, e megjithatë ky person merr përsipër të ushtrojë ixhtihad në çështje të ndërlikuara, për të cilat edhe dijetarët e mëdhenj hezitojnë të japin gjykim.
Mes atyre që ngurrojnë dhe atyre që tregojnë guxim në dhënien e fetvave
Frika ndaj Allahut, ndaj dijetarëve, madje edhe ndaj njerëzve të thjeshtë, mund ta pengojë dikë të japë një gjykim për një çështje të re, e cila nuk është trajtuar më parë. Kjo ndodh nga frika se njerëzit mund të ngurrojnë të pranojnë një gjykim për të cilin nuk kanë dëgjuar më parë, nga druajtja se mund të akuzohen për shpikje në fe, ose për të shmangur përgjegjësinë dhe llogaridhënien para Zotit të botëve.
Në anën tjetër, gjen njerëz që kanë guxim të tepruar, por edhe padije edhe më të madhe, të cilët nuk i vlerësojnë pasojat e veprimeve të tyre ose nuk shqetësohen për to. Këta japin gjykime për çështjet më të rënda, që lidhen me gjakun, nderin, shpalljen e të tjerëve jobesimtarë, cilësimin e tyre si mëkatarë të shthurur dhe akuzimin për shpikje në fe.
Të them të drejtën, frika ndaj Allahut të Madhëruar kërkon që dijetari të mos shprehet për asnjë gjykim sheriatik, të vjetër apo të ri, pa kryer më parë hulumtimin e nevojshëm rreth çështjes. Ai duhet të bëjë përpjekjet e tij për ta sqaruar çështjen nga të gjitha paqartësitë që mund ta rrethojnë, të shqyrtojë mendimet e dijetarëve lidhur me të, t’u referohet teksteve sheriatike dhe të zbatojë rregullat shkencore të nxjerrjes së gjykimeve. E gjithë kjo duhet të shoqërohet me devotshmëri ndaj Allahut dhe lutje për sukses e udhëzim prej Tij.
Profeti (a.s) e nxiti ixhtihadin, duke sqaruar se ai që arrin në përfundimin e saktë merr dy shpërblime, ndërsa ai që gabon merr një shpërblim.
Kriteret për pranimin e ixhtihadit
Një nga gjërat që mund t’i qetësojë ata që kanë frikë nga hapja e derës së ixhtihadit për këdo që i plotëson kushtet e tij, është fakti se ixhtihadi i një dijetari, pavarësisht se sa e lartë është pozita e tij në dije, i nënshtrohet diskutimit, shqyrtimit, pranimit ose kundërshtimit.
Ja ku janë ixhtihadet e imamëve të medhhebeve juridike, të cilat diskutohen nga pasuesit e shkollave të tyre, madje edhe para të tjerëve. Ato ndonjëherë kundërshtohen edhe nga nxënësit që e kanë marrë dijen drejtpërdrejt nga këta imamë të mëdhenj, pa u cenuar aspak vlera e ixhtihadit të tyre.
Së dyti, ixhtihadi nuk e tejkalon kufirin e një veprimtarie intelektuale, e cila, duke përmbushur kushtet e përcaktuara, merret me trajtimin e tekstit sheriatik. Ai nuk mund të zërë vendin e tekstit kuranor apo profetik.
Që ixhtihadi të fitojë vlerësimin që i takon, është e domosdoshme që dijetarët e kohës ta shqyrtojnë atë dhe të paraqesin arsyetimet që mbështesin pranimin ose refuzimin e tij. Ai mbetet një ixhtihad i vlerësueshëm, nëse është kryer në përputhje me kriteret shkencore. Dijetarët e kohës së vet mund të mos e përqafojnë atë, por nevoja për të mund të lindë sërish në shekujt pasues.
Ndoshta një nga mënyrat për ta zvogëluar paaftësinë, e cila është pjesë e natyrës njerëzore, është kalimi nga ixhtihadi individual në atë kolektiv. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur çështjet ndërthuren, madje bëhen gjithnjë e më të ndërlikuara, duke kërkuar që secila prej tyre të trajtohet nga specialistë të fushave të ndryshme, në mënyrë që të krijohet një pamje e qartë e saj. Kjo sepse gjykimi për një gjë varet nga të kuptuarit e saktë të saj.
Autor: Muhamed Atije
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Tegabun: 16.
[2] – Muslimi.
[3] – Ebu Daudi.
