Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli i jep Hamasit ultimatum 60-ditor për çarmatim, kërcënon me rikthim në...

Izraeli i jep Hamasit ultimatum 60-ditor për çarmatim, kërcënon me rikthim në luftë

Izraeli ka thënë të hënën se i ka dhënë ultimatum 60-ditor grupit palestinez Hamas për t’u çarmatosur, duke kërcënuar me rikthimin e plotë në luftë nëse nuk i bindet vendimit.

Hamasi “duhet të dorëzojë gjithë armatimin e tij,” përfshirë edhe pushkët, tha sekretari i kabinetit izraelit, Yossi Fuchs gjatë një konferencë në Jerusalem, e cituar nga The Times of Israel.

Fusch pohoi se kjo periudhë është kërkuar nga administrata e Shteteve të Bashkuara, dhe se ata po e respektojnë këtë.

Pa konfirmuar se kur do të fillojë saktësisht ultimatumi, Fuchs tha se ai mund të fillojë me takimin e 19 shkurtit të Bordit të Paqes të Presidentit të SHBA-së Donald Trump.

“Ne do ta vlerësojmë atë”, tha Fuchs. “Nëse funksionon, shkëlqyeshëm. Nëse jo, atëherë IDF (ushtria) do të duhet ta përfundojë misionin”.

Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga Hamasi apo Uashingtoni mbi pretendimin izraelit.

Që kur një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor, forcat izraelite kanë kryer qindra shkelje përmes granatimeve dhe të shtënave me armë zjarri, duke vrarë 603 palestinezë dhe duke plagosur 1,618 të tjerë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Hamasi ka hedhur poshtë thirrjet për të dorëzuar armët e tij, duke propozuar në vend të kësaj që ato të “ruhen ose të ngrihen”.

Grupi thekson se është një lëvizje rezistence kundër Izraelit, të cilin OKB e konsideron fuqi pushtuese në territoret palestineze.

Exit mobile version