Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sondazh: Një e katërta belgëve kanë ulur blerjet e produkteve amerikane

Sondazh: Një e katërta belgëve kanë ulur blerjet e produkteve amerikane

Sipas një sondazhi të kryer së fundmi, një në katër belgë ka filluar të blejë më pak produkte amerikane mes tensioneve të fundit me SHBA-në, transmeton Anadolu.

Siç raportoi agjencia e lajmeve Belga, sondazhi, i porosituar nga AG Insurance dhe i realizuar midis 30 janarit dhe 6 shkurtit me 1 mijë të anketuar në mbarë Belgjikën, zbuloi se 25,3 për qind e pjesëmarrësve thanë se kanë reduktuar blerjet e markave të njohura amerikane si Coca-Cola, Oreo dhe Nike.

Në të kundërt, 3,8 për qind e të anketuarve deklaruan se kanë rritur blerjet e produkteve amerikane.

Rezultatet e sondazhit po ashtu tregojnë edhe një ndarje rajonale.

Në pjesën veriore të Belgjikës, ku flitet holandisht, 21,1 për qind e të anketuarve thanë se po blejnë më pak marka amerikane, krahasuar me 30,6 për qind në jugun që flet frëngjisht.

Edhe sjellja investuese duket se po ndryshon. Nga të anketuarit që zotërojnë aksione në kompani amerikane, 23,6 për qind thanë se po investojnë më pak.

Ndërkohë, 22,2 për qind raportuan se kanë reduktuar investimet në fonde ose fonde të tregtueshme (ETF) me bazë në SHBA, ndërsa 27,7 për qind thanë se kanë ulur investimet në dollarin amerikan.

Pothuajse gjysma e të anketuarve, përkatësisht 44,5 për qind, besojnë se kompanitë belge dhe evropiane duhet të zvogëlojnë investimet në SHBA, ndërsa vetëm 3,7 për qind mendojnë se këto investime duhet të rriten.

Sondazhi gjithashtu theksoi shqetësimin e gjerë për zhvillimet globale, pasi rreth 88,7 për qind e të anketuarve thanë se janë të shqetësuar për ngjarjet e fundit ndërkombëtare.

Niveli i shqetësimit ishte më i lartë në pjesën e folësve të frëngjishtes, respektivisht me 92,4 për qind, krahasuar me 85,9 për qind në mesin e folësve të holandishtes. Vetëm 2,3 për qind deklaruan se nuk janë aspak të shqetësuar.

Exit mobile version