Izraeli ka pranuar 940 avionë dhe anije të ngarkuara me armë dhe pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor 2023, njoftoi Ministria izraelite e Mbrojtjes të martën.
Sipas deklaratës, “avioni i 800-të në kuadër të operacionit ajror të furnizimit me pajisje dhe armatim ka zbritur sot në Izrael,” ndërsa 140 dërgesa të tjera janë realizuar përmes rrugëve detare.
Në total, janë dërguar mbi 90,000 ton pajisje ushtarake, përfshirë municione, automjete të blinduara, pajisje mbrojtëse personale dhe furnizime mjekësore.
Kjo mbështetje ushtarake vjen ndërkohë që raportohet për tensione mes kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit amerikan Donald Trump.
Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka zhvilluar një ofensivë të përgjakshme në Gaza, duke vrarë mbi 54,000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë. Në nëntor, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër-arreste për Netanyahu-n dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për krime ndaj civilëve të pambrojtur në enklavë. /mesazhi
