Avionë luftarakë izraelitë kanë kryer sulme ajrore ndaj disa zonave në jug dhe lindje të Libanit, duke vazhduar shkeljet e armëpushimit të nëntorit të vitit 2024, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë zyrtare libaneze të lajmeve NNA, avionët izraelitë kanë goditur zonat përreth vendbanimit Bavadi, në perëndim të Baalbekut në lindje të vendit, si dhe rajonin Zagrin në pjesën rurale të Hermelit.
Në jug, avionët izraelitë kanë sulmuar zonën ku ndodhen vendbanimet Dejr Serjan dhe Kasir si dhe Zotar, kodrat Rejhan në rajonin Xhizin si edhe zonat përreth vendbanimeve Xhuret Hudur, Katrani dhe Kefr Huna.
Pamje të shpërndara në rrjetet sociale tregojnë re tymi që ngrihen nga shumë prej zonave të goditura. Autoritetet libaneze ende nuk kanë dhënë informacione nëse ka viktima nga këto sulme.
– Ushtria izraelite: Goditëm objektiva të Hezbollahut
Ushtria izraelite, në një deklaratë me shkrim njoftoi se ka kryer sulme ajrore në shumë pika në jug dhe në pjesën qendrore të Libanit.
Në deklaratë thuhet se janë goditur “shumë objektiva që i përkasin Hezbollahut, përfshirë depo armësh dhe infrastrukturë ushtarake”.
– Sulmet dhe pushtimi izraelit vazhdojnë pavarësisht armëpushimit
Izraeli nisi sulmet ndaj Libanit në tetor 2023, ndërsa në shtator 2024 ato u shndërruan në një luftë të gjerë. Si pasojë, mbi 4 mijë persona humbën jetën dhe rreth 17 mijë u plagosën.
Pavarësisht marrëveshjes së armëpushimit të arritur më 27 nëntor 2024 mes Libanit dhe Izraelit, Izraeli e ka shkelur armëpushimin mijëra herë.
Izraeli vazhdon të mbajë nën pushtim pesë kodra që i ka marrë nën kontroll pas 8 tetorit 2023 si dhe ruan praninë e tij në disa zona që i ka pushtuar prej dekadash.
Ministria libaneze e Shëndetësisë ka njoftuar se Izraeli, duke shkelur armëpushimin, ka shkaktuar vdekjen e 335 personave dhe plagosjen e 973 të tjerëve gjatë sulmeve të kryera në Liban në periudhën nga 27 nëntori 2024 deri më 27 nëntor 2025.
