Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kremlini: Putin dhe Erdogan nuk diskutuan çështjen e sistemit S-400 në takimin...

Kremlini: Putin dhe Erdogan nuk diskutuan çështjen e sistemit S-400 në takimin e tyre javën e kaluar

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, hodhi poshtë të enjten raportet e mediave se Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, javën e kaluar diskutuan kthimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore S-400 nga Ankaraja në Moskë, transmeton Anadolu.

“Kjo temë nuk ishte në agjendë”, tha Peskov në një konferencë për shtyp në Moskë, duke iu referuar bisedimeve të Putinit dhe Erdoganit në margjinat e një takimi ndërkombëtar javën e kaluar në Ashgabat të Turkmenistanit.

Në vitin 2017, Turqia bleu katër sisteme të mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia për 2.5 miliardë dollarë. SHBA-ja pretendoi se sistemi rus përbënte një rrezik sigurie, por Turqia pohoi se S-400 nuk do të përbënte kërcënim për NATO-n ose armatimet e saj sepse nuk do të integrohej në sistemet e aleancës. Ankaraja gjithashtu propozoi vazhdimisht ngritjen e një komisioni për të zgjidhur çështjen. Kur Turqia refuzoi, SHBA-ja e hoqi atë nga programi i avionëve luftarakë F-35, një veprim që Turqia e ka quajtur të paligjshëm.

I pyetur në lidhje me përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Peskov tha se Rusia po përgatit kontakte me palën amerikane pas punës së Washingtonit me Kievin dhe Brukselin.

“Ne po përgatitemi për kontakte të caktuara me homologët tanë amerikanë për të marrë informacion në lidhje me rezultatet e punës së bërë nga amerikanët me evropianët dhe ukrainasit” shtoi ai.

Sipas raporteve të medias, negociatorët amerikanë Steven Witkoff dhe Jared Kushner do të takohen këtë fundjavë me të dërguarin rus Kirill Dmitriev në Miami, Florida.

– “Venezuela është aleati ynë”

Duke iu referuar Venezuelës, mes një bllokade detare ushtarake amerikane dhe tensioneve në rritje, Peskov tha se Karakasi është një aleat dhe partner i Rusisë.

“Venezuela është aleati ynë, partneri ynë; ne mbajmë kontakte të vazhdueshme, duke përfshirë kontakte në nivelin më të lartë”, vuri në dukje ai, duke shtuar se Putin dhe Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, folën së fundmi në telefon.

“Ne shohim një përshkallëzim të tensioneve në rajonin (e Amerikës Latine); ne e konsiderojmë potencialisht shumë të rrezikshëm”, theksoi Peskov.

Deklarata vjen pas deklaratës së Presidentit Donald Trump se SHBA-ja së shpejti mund të fillojë sulme në tokën Venezuelës, si pjesë e asaj që ai e quajti lufta e Washingtonit kundër trafikimit të narkotikëve.

Maduro ka thënë se Trump është i interesuar në ndryshimin e regjimit në Venezuelë, jo në luftën kundër trafikimit të drogës.

Venezuela ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me atë që e quan “agresion të hapur dhe kriminal” nga Washingtoni, pasi kërcënon të sekuestrojë burimet e naftës.

Exit mobile version