Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli miraton 334 milionë dollarë për rrugët që lidhin vendbanimet ilegale në...

Izraeli miraton 334 milionë dollarë për rrugët që lidhin vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor

Qeveria e Izraelit ka miratuar mbi 1 miliard shekelë (334 milionë dollarë) për të ndërtuar dhe përmirësuar rrugët që lidhin vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan mediat izraelite, transmeton Anadolu.

Kanali 7 i Izraelit raportoi sot se qeveria e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu miratoi fondet për financimin e rrugëve të reja dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese që lidh dhjetëra vendbanime të paligjshme të autorizuara nga Kabineti i Sigurisë gjatë luftës.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, udhëheqës i partisë së ekstremit të djathtë, Sionizmi Fetar, e përshkroi vendimin si “historik”. Ai tha se financimi do të lehtësonte krijimin e dhjetëra vendbanimeve të paligjshme në “lokacione strategjike” në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar.

Smotrich shtoi se plani shumëvjeçar përfshin planifikimin dhe ndërtimin e rrugëve të reja, zgjerimin e infrastrukturës ekzistuese të transportit, lidhje më të forta ndërmjet vendbanimeve ilegale dhe masa shtesë sigurie.

OKB-ja e konsideron Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, si territor të pushtuar palestinez dhe pohon se vendbanimet izraelite atje janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Që nga 8 tetori 2023, Izraeli ka kryer gjenocid në Rripin e Gazës duke vrarë mbi 73 mijë palestinezë dhe plagosur mbi 173 mijë të tjerë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze. Shumica e viktimave janë gra dhe fëmijë.

Exit mobile version