Izraeli ka miratuar një plan 5-vjeçar me vlerë rreth 334 milionë dollarë për zhvillimin e vendbanimeve ilegale në lartësitë e pushtuara siriane të Golanit, transmeton Anadolu.
Plani që mbulon vitet 2026-2030, siç raporton “The Times of Israel”, parashikon rreth 1 miliard shekelë (334 milionë dollarë) për forcimin e infrastrukturës dhe nxitjen e rritjes së popullsisë izraelite në territorin e pushtuar.
Sipas ministrit të kabinetit izraelit, Ze’ev Elkin, zyrtarët izraelitë thanë se nisma synon ta shndërrojë vendbanimin Katzrin në “qytetin e parë të Golanit”, sipas ministrit të kabinetit Ze’ev Elkin.
Ky hap erdhi pas një takimi në fillim të kësaj jave mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe zyrtarëve lokal, përfshirë kreun e Këshillit Lokal të Katzrin, Yehuda Dua dhe kreun e Këshillit Rajonal të Golanit, Uri Kellner.
Sipas raportit, Drejtoria Tnufa për Veriun, në koordinim me autoritetet lokale do të mbikëqyrë zbatimin e planit.
“Do të forcojmë akademinë, kërkimin shkencor dhe Universitetin ‘Kiryat Shmona’ me një degë në Katzrin, një fakultet dhe një spital veterinar”, tha Dua.
Drejtoria planifikon të sjellë 3 mijë familje të reja izraelite në Katzrin dhe në Lartësitë e Golanit deri në fund të dekadës.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, Lartësitë e Golanit njihen si territor sirian i pushtuar nga Izraeli që nga viti 1967 dhe zgjerimi i vendbanimeve atje konsiderohet i paligjshëm.
