Nisin procedurat në Kongres: Demokratët po mendojnë të njëjtën gjë edhe për presidentin Donald Trump
Skena politike amerikane është përfshirë nga një furtunë e re legjislative ndërsa demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, Kongresit, kanë njoftuar zyrtarisht lëvizjen për paraqitjen e pesë neneve për shkarkimin e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Mbi të rëndojnë akuzat për abuzim me pushtetin, krime lufte dhe shkelje të rënda të etikës. Sipas një rezolute prej shtatë faqesh të siguruar nga media amerikane Axios, epiqendra e kësaj lëvizjeje lidhet drejtpërdrejt me operacionet ushtarake të SHBA-së në Iran.
Demokratët pretendojnë se vendimmarrja e Hegseth ka tejkaluar mandatet ligjore, duke e përshkallëzuar konfliktin në përmasa të rrezikshme për sigurinë globale.
Përveç luftës, rezoluta citon edhe skandalin e ashtuquajtur “Signalgate” dhe sjellje të dyshuara personale të Sekretarit që bien ndesh me integritetin e postit.
Pentagoni ka reaguar ashpër përmes zëdhënëses Kingsley Ëilson, duke i cilësuar këto nisma si kërkim vëmendjeje nga ana e demokratëve, ndërkohë që Departamenti i Luftës deklaron se ka arritur objektivat e Presidentit në Iran me një vendosmëri dërrmuese.
Ndërsa shkarkimi i Hegseth shihet si i vështirë për t’u kaluar në një Kongres të kontrolluar nga republikanët, demokratët po ndërtojnë një strategji paralele edhe më agresive duke synuar aktivizimin e Amendamentit të 25-të për Presidentin Donald Trump.
Kongresmeni Jamie Raskin, së bashku me pesëdhjetë kolegë të tjerë, ka prezantuar krijimin e një komisioni prej shtatëmbëdhjetë anëtarësh për të vlerësuar nëse Presidenti është ende i përshtatshëm për të shërbyer në detyrë.
Ky komision synon të analizojë kritere që lidhen me shëndetin fizik dhe mendor, dëmtimin njohës apo çdo rrethanë tjetër që mund ta bënte udhëheqësin e vendit të paaftë për të kryer detyrat e tij kushtetuese.
Raskin ka argumentuar se besimi në aftësinë e Trump ka rënë në nivelin më të ulët historic, dhe se vendi ndodhet përpara një gremine të rrezikshme që kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të Kongresit.
Ndryshe nga procesi i rregullt i shkarkimit që kërkon prova për krime konkrete, Amendamenti i 25-të fokusohet tërësisht te koncepti i paaftësisë për të qeverisur.
Kjo procedurë parashikon që Zëvendëspresidenti J.D. Vance dhe shumica e Kabinetit t’i dërgojnë një letër zyrtare Kongresit ku deklarojnë se Presidenti nuk mund të ushtrojë më pushtetin e tij.
Në rast se presidenti e kundërshton këtë vlerësim, vendimi përfundimtar i kalon Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, të cilët duhet të shprehen me një shumicë prej dy të tretash për të bërë të vlefshëm largimin e tij.
Historia e këtij amendamenti daton që nga periudha pas vrasjes së John F.Kennedy si një mbrojtje ndaj vakumit të pushteti.
Ky zhvillim ka sjellë reagime edhe nga aleatët ndërkombëtarë, ku liderë si kryeministrja italiane Giorgia Meloni po vëzhgojnë me kujdes situatën, ndërsa po përpiqen të rregullojnë raportet me figurat kyçe të administratës si Vance dhe Rubio në këtë periudhë pasigurie. /tesheshi
