Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli: Nuk do të bëhemi rrugë për Rusinë për të anashkaluar sanksionet

Izraeli: Nuk do të bëhemi rrugë për Rusinë për të anashkaluar sanksionet

Kryediplomati i Izraelit tha se rusët nuk do të lejohen të përdorin vendin e tij për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare.

Mes kritikave se Izraeli nuk po bën mjaftueshëm për të mbështetur Ukrainën, ministri i Jashtëm Yair Lapid tha se “Izraeli nuk do të bëhet rrugë për të anashkaluar sanksionet e vendosura ndaj Rusisë nga SHBA dhe vendet e tjera perëndimore”.

Duke folur gjatë një vizite në Sllovaki të hënën, ai tha se Ministria e Jashtme ishte në kontakt me ministritë e tjera dhe autoritetet e aeroportit për të koordinuar masat kundër rusëve.

Mediet izraelite raportuan pas sulmit rus ndaj Ukrainës se vendi po shmangte vendosjen e sanksioneve kundër oligarkëve.

Sipas gazetës ”Times of Israel”, më shumë se 12 avionë privatë nga Rusia kanë zbritur në Izrael gjatë javëve të fundit.

Sipas një raporti në gazetën ”Haaretz”, nënsekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, i kishte kërkuar Izraelit t’i bashkohej sanksioneve kundër Rusisë.

Ajo tha se nuk ishte në interesin e Izraelit të bëhej “streha e fundit për paratë e pista që po nxisin luftërat e Putinit”.

Izraeli ka pasur tradicionalisht marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Ukrainën, dhe kryeministri Naftali Bennett është i përfshirë në përpjekjet e ndërmjetësimit. /atsh

Exit mobile version