Ushtria izraelite ka paralajmëruar qytetarët se duhet të përgatiten për një fushatë të gjatë, pasi operacionet kundër Iranit vazhdojnë dhe janë zgjeruar përtej objektivave ushtarake tradicionale.
Sipas ushtrisë, ende mbeten shumë objektiva për t’u goditur dhe fushata tashmë përfshin edhe këshilltarë shkencorë, struktura mbështetëse dhe objektiva që lidhen me programin bërthamor të Iranit. Qëllimi i deklaruar i Izraelit është ndalimi i pasurimit të uraniumit nga Irani për ndërtimin e një arme bërthamore. Izraeli po synon gjithashtu marrjen e një bombe amerikane të aftë të shkatërrojë objektin nëntokësor në Fardow.
Nga ana tjetër, sipas ushtrisë izraelite, gjatë natës janë lëshuar rreth 40 dronë nga Irani, njëri prej të cilëve ka arritur të depërtojë mbrojtjen ajrore. Që nga fillimi i përshkallëzimit të konfliktit, janë lëshuar gjithsej rreth 450 raketa balistike dhe mbi 400 dronë drejt Izraelit, sipas të dhënave izraelite.
Situata mbetet e tensionuar dhe pa një afat të qartë për përfundimin e saj. /mesazhi
