Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli paralajmëron qytetarët që ia mësyjnë Turqisë për kujdes

Izraeli paralajmëron qytetarët që ia mësyjnë Turqisë për kujdes

Izraeli ka paralajmëruar të hënën se mund të bëjë ndryshime sa u përket udhëtimeve drejt Turqisë për shkak të kërcënimeve iraniane për hakmarrje lidhur me vrasjen e një koloneli të Gardës Revolucionare gjatë javës së kaluar, shkruan Reuters të hënën .

Teherani ka fajësuar Izraelin për vrasjen e Hassan Sayad Khodai, i cili u qëllua për vdekje në veturën e tij nga dy persona të armatosur, e që nuk është arritur ende të identifikohen.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Izraelit nëpërmjet një deklarate ka thënë se Teherani mund të synojë të dëmtojë izraelitët në Turqi, duke e klasifikuar këtë vend “me rrezik të lartë”.

Turqia është destinacion turistik për izraelitët dhe të dy vendet kanë përmirësuar lidhjet e tyre pas më shumë se një dekade marrëdhëniesh të tensionuara.

Izraeli e ka akuzuar Khodain për komplot sulmesh kundër qytetarëve të tij në mbarë botën.

Autoritetet iraniane nuk i kanë gjetur ende të dyshuarit, edhe pse incidenti ndodhi në një prej zonave më të sigurta në Teheran, “Rruga Mohahedin-e Eslam”, shtëpia e Forcave të saj elitare Quds. /koha

Exit mobile version