Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Izraeli pret marrëveshje të afërt për Gazën, familjet e të burgosurve kërkojnë...

Izraeli pret marrëveshje të afërt për Gazën, familjet e të burgosurve kërkojnë zgjidhje gjithëpërfshirëse

Sipas raporteve izraelite, negociatat për një armëpushim në Rripin e Gazës mund të përfundojnë me një marrëveshje brenda dy javësh. Për herë të parë, bisedimet po përfshijnë edhe çështjen e përfundimit të luftës, ndërsa Hamasi ka marrë harta të reja nga ndërmjetësit, të cilat po i shqyrton, raporton Aljazeera në gjuhën arabe.

Gazeta Yedioth Ahronoth raportoi se marrëveshja është e arritshme dhe se i dërguari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Weitkoff, pritet të udhëtojë në Doha së shpejti. Ndërkohë, Hamasi ka shprehur rezervat e tij mbi numrin e të burgosurve palestinezë që do të lirohen në këmbim të secilit peng izraelit, por ndërmjetësimi nga Katari ka ndihmuar në afrim të qëndrimeve.

Një diplomat arab tha për transmetuesin publik izraelit se “dallimet në lidhje me shpërndarjen e trupave izraelite janë zvogëluar” dhe se “kanë mbetur vetëm disa pengesa të vogla”. Ai e cilësoi takimin e fundit mes presidentit amerikan dhe kryeministrit të Katarit si “tepër të rëndësishëm për përparimin e bisedimeve”, ndërsa Shtetet e Bashkuara shprehen të kënaqura me zhvillimet.

Ndërkohë, sipas gazetës Haaretz, për herë të parë Izraeli po zhvillon bisedime me Hamasin për përfundimin e luftës, duke i dalluar këto negociata nga ato të mëparshme për shkëmbimin e të burgosurve. Një burim politik theksoi se delegacioni izraelit ka fleksibilitet të mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje pa rrezikuar sigurinë kombëtare.

Në të njëjtën kohë, vazhdojnë presionet e familjeve të pengjeve izraelite ndaj qeverisë për një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Mijëra protestues u mblodhën në Tel Aviv, duke kërkuar kthimin e të gjithë pengjeve dhe fundin e luftës. Nëna e njërit prej pengjeve, Einav Tsangauker, i kërkoi kryeministrit Netanyahu të mos lejojë që të dështojnë bisedimet në Doha dhe ta autorizojë delegacionin për një marrëveshje përfundimtare.

Nga ana tjetër, një burim palestinez tha për agjencinë Anadolu se Hamasi ka marrë harta të reja nga ndërmjetësit, të cilat tregojnë për vazhdimin e pranisë ushtarake izraelite në zona të mëdha të Gazës, përfshirë pjesë të Rafahut, Khan Younisit dhe qytetit të Gazës. Hamasi ka nisur analizimin e tyre në strukturat e veta dhe është në konsultim me fraksionet palestineze.

Sipas të njëjtit burim, versionet e mëparshme të hartave tregonin një kontroll të plotë izraelit në pjesë të mëdha të veriut dhe jugut të Gazës, gjë që ishte refuzuar nga Hamasi, i cili kërkon rikthimin në vijat e tërheqjes sipas marrëveshjes së janarit 2025.

Që prej më shumë se 21 muajsh, kanë pasur disa raunde negociatash jo të drejtpërdrejta midis Izraelit dhe Hamasit. Deri tani janë arritur dy marrëveshje të pjesshme: një në nëntor 2023 dhe tjetra në janar 2025. Megjithatë, kryeministri Netanyahu, i kërkuar ndërkombëtarisht për krime lufte, ka shmangur zbatimin e marrëveshjes së fundit dhe ka rifilluar ofensivën në Gaza më 18 mars.

Që nga 7 tetori 2023, ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar mbi 199 mijë të vrarë dhe të plagosur palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 9 mijë të zhdukur dhe qindra mijëra të zhvendosur, ndërkohë që uria ka marrë jetë të panumërta. /mesazhi

Exit mobile version