Ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore dhe me artileri ndaj zonave që vazhdon t’i mbajë të pushtuara në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarë okularë, ushtria izraelite ka shënjestruar me sulme ajrore dhe tokësore zonat lindore të qytetit të Gazës, kampin e refugjatëve Bureij në pjesën qendrore si dhe lindjen e qytetit Rafah në jug të Rripit të Gazës.
Avionët luftarakë izraelitë kanë kryer sulme ajrore ndaj lindjes së Rafahut ndërsa njëkohësisht zona është goditur edhe me zjarr artilerie. Dëshmitarët kanë bërë të ditur se në zonë janë dëgjuar shpërthime të fuqishme si dhe të shtëna të herëpashershme armësh nga automjetet ushtarake izraelite.
Në lagjet Zaitoun dhe Shujayya në lindje të qytetit të Gazës janë kryer gjithashtu sulme ajrore dhe goditje me artileri ndërsa në zonë janë dëgjuar zhurma shpërthimesh. Edhe zonat lindore të kampit të refugjatëve Bureij, në pjesën qendrore të Gazës, janë shënjestruar nga zjarri i hapur nga automjetet ushtarake izraelite dhe nga goditjet me artileri.
Ushtria izraelite vazhdon pushtimin në vijat kufitare jugore dhe lindore të Rripit të Gazës si dhe në zona të gjera në veri. Kjo situatë nënkupton se Izraeli ka pushtuar “de fakto” më shumë se 50 për qind të territorit të Gazës.
Ndërkohë që Izraeli vazhdon të shkelë armëpushimin e arritur me Hamasin që nga 10 tetori, sipas Zyrës mediatike të Qeverisë në Gaza, gjatë kësaj periudhe janë regjistruar rreth 969 shkelje dhe të paktën 418 palestinezë janë vrarë si pasojë e sulmeve izraelite.
Si rezultat i sulmeve izraelite që nisën më 8 tetor 2023 dhe zgjatën dy vjet, në Rripin e Gazës janë vrarë mbi 71 mijë palestinezë ndërsa më shumë se 171 mijë të tjerë janë plagosur.
