Izraeli shkatërroi një fshat palestinez në rajonin jugor të Negevit të mërkurën, duke shënuar herën e 244-të gjatë 15 viteve të fundit, raporton Anadolu.
Aziz al-Touri, një anëtar i Komitetit për Mbrojtjen e Al-Araqib, një OJQ lokale e përkushtuar për mbrojtjen e fshatit nga plaçkitjet izraelite, i tha AA-së se forcat izraelite bastisën fshatin dhe shkatërruan shtëpitë e tij.
Ai shtoi se autoritetet izraelite arrestuan babanë e tij të moshuar, Sheikh Sayah al-Touri, përpara se ta lironin më vonë. “Banorët kanë filluar rindërtimin e asaj që shkatërruan autoritetet izraelite. Al-Araqib do të mbetet dhe ne nuk do të largohemi”, tha Touri.
Autoritetet izraelite shkatërruan shtëpitë e fshatit palestinez, të cilat janë bërë prej druri, plastike dhe kallaji, për herë të parë në korrik 2010. Sipas një korrespondent të Anadolu-t, sa herë që fshati shkatërrohet nga autoritetet izraelite, banorët, rreth 22 familje, e rindërtojnë atë nga e para.
Qeveria izraelite nuk e njeh fshatin Al-Araqib, megjithatë banorët e tij këmbëngulin të qëndrojnë atje pavarësisht prishjeve të përsëritura.
Në një lajm të mëparshëm, organizata jofitimprurëse izraelite “Zochrot”, e cila synon të dokumentojë dhe të rrisë ndërgjegjësimin rreth Nakbës palestineze të vitit 1948, deklaroi se Al-Araqibi u themelua për herë të parë gjatë periudhës osmane në tokë të blerë nga banorët e tij.
Organizata tha se autoritetet izraelite po punojnë për të zhvendosur me forcë banorët e fshatit me qëllim që të sekuestrojnë tokën e tyre, duke vënë në dukje se Izraeli nuk njeh dhjetëra fshatra të tjerë palestinezë në rajonin e Negevit dhe refuzon t’u ofrojë atyre ndonjë shërbim.
