Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Miratohet ndryshimi i anëtarëve në kabinetin e Maqedonisë së Veriut, parlamenti zgjedh...

Miratohet ndryshimi i anëtarëve në kabinetin e Maqedonisë së Veriut, parlamenti zgjedh dy ministra të rinj

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut zgjodhi sot Muhamet Hoxhën ministër të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe Bekim Salin ministër për Çështje Evropiane, raporton Anadolu.

Të dy dhanë betimin menjëherë pas votimit në seancën e 75-të plenare.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se emërimet bëhen për të siguruar funksionim të plotë dhe kontinuitet në punën e Qeverisë, veçanërisht në resorët kyç. Ai vlerësoi se Hoxha ka përvojë të gjatë në administratë dhe e njeh mirë bashkëpunimin ndërinstitucional.

Për Salin, kryeministri theksoi përvojën e tij të mëparshme si ministër dhe angazhimin në pushtetin legjislativ.

Ai shtoi se Ministria për Çështje Evropiane kërkon koordinim të lartë ndërmjet institucioneve dhe ndjekje të detyrimeve që dalin nga dokumentet kombëtare dhe evropiane. Nga ministrat e rinj pritet punë profesionale dhe respektim i Kushtetutës dhe ligjeve, tha ai.

Emërimet pasuan largimin e Orhan Murtezanit nga posti i ministrit për Çështje Evropiane, ndërsa në debat pati kritika nga opozita për, siç u tha, rezultatet e dobëta në procesin e integrimit evropian dhe mungesën e reformave.

Ndryshimet në përbërjen qeveritare vijnë edhe pas zgjedhjeve lokale të tetorit, kur Izet Mexhiti mori detyrën e kryetarit të Komunës së Çairit dhe u largua nga pozicionet qeveritare që mbante më parë, atë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Mickoski theksoi se prioritet i Qeverisë mbetet funksionimi stabil i institucioneve, zbatimi i reformave dhe përmirësimi i cilësisë së jetës së qytetarëve, duke kërkuar përgjegjësi dhe transparencë nga çdo anëtar i kabinetit.

Exit mobile version