Sistemi i drejtësisë në Belgjikë po përballet me presion në rritje, pasi gjykatat e mbingarkuara dhe burgjet e tejmbushura po minojnë përpjekjet për të luftuar krimin e organizuar të drogës, duke ngritur shqetësime se vendi po humbet terren në betejën kundër rrjeteve të fuqishme të trafikut, transmeton Anadolu.
Sipas raportit të agjencisë së lajmeve “Belga”, pavarësisht rritjes së dhunës së lidhur me drogën, sistemi gjyqësor mbetet i penguar nga nën-financimi kronik dhe problemet strukturore afatgjata, duke ushqyer atë që ekspertët dhe zyrtarët e përshkruajnë si një ndjenjë në rritje të pandëshkueshmërisë.
Ministrja e Drejtësisë, Annelies Verlinden ka kërkuar fond shtesë prej 1 miliard eurosh për të forcuar sistemin, duke propozuar që gjysma të destinohet për operacionet e përditshme dhe gjysma për infrastrukturën. Planet e saj përfshijnë dënime më të ashpra për lordët e drogës, testim të detyrueshëm për drogë në burgje dhe masa që kërkojnë nga të paraburgosurit e pasur të kontribuojnë në koston e vuajtjes së dënimit.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Brendshme, Bernard Quintin ka shkaktuar polemika duke sugjeruar mundësinë e angazhimit të ushtrisë në qytetet e mëdha për të përballuar përshkallëzimin e dhunës së lidhur me drogën.
Krimi i organizuar ka kërcënuar drejtpërdrejtë edhe udhëheqës politik. Gjatë mandatit të mëparshëm legjislativ, një ministër i Drejtësisë u detyrua të fshihet pasi mori kërcënime me vdekje të lidhura me rrjete kriminale. Përtej shqetësimeve të sigurisë, sistemi i drejtësisë në Belgjikë po përballet me mbipopullim të rëndë. Më shumë se 2.500 të dënuar aktualisht janë nën mbikëqyrje elektronike ose në pritje të një vendi në burg.
Sipas shifrave të ndara nga sindikatat e stafit të burgjeve për agjencinë “Belga”, 499 të burgosur po flenë në dysheme në 19 burgje, me problemin veçanërisht të theksuar në rajonin Flanders.
Pavarësisht shpenzimeve publike për zbatimin e ligjit të krahasueshme me ato të vendeve fqinje, analistët thonë se gjykatat dhe burgjet në Belgjikë japin rezultate më të dobëta. Thirrjet për reforma strukturore dhe përmirësim të menaxhimit kanë vazhduar prej vitesh, por ministrat pasues të drejtësisë nuk kanë arritur të ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme.
Besimi i publikut në sistemin e drejtësisë po gërryhet. Sipas Barometrit të pestë të Drejtësisë, besimi në sistemin e drejtësisë në Belgjikë vazhdon të bie, me mezi gjysmën e popullsisë që shpreh besim. Besimi është më i ulëti te qytetarët e klasës punëtore ndërsa vetëm shtresa e mesme e lartë shfaq shumicë të qartë besimi.
Shqetësime të ngjashme ndahen edhe brenda vetë gjyqësorit. Një magjistrat që heton krimin e organizuar në Antverp paralajmëroi së fundmi se Belgjika rrezikon të shndërrohet në një “narko-shtet”, të karakterizuar nga ekonomi të paligjshme, korrupsion dhe dhunë.
