Udhëheqësit e institucioneve të Bashkimit Evropian (BE) kanë reaguar ndaj kufizimeve të vizave që SHBA-ja ka vendosur për pesë evropianë, mes tyre edhe ish-eurokomisarin Thierry Breton, transmeton Anadolu.
Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një deklaratë në rrjetin social amerikan X tha: “BE-ja i dënon kufizimet e udhëtimit që SHBA-ja ka vendosur ndaj qytetarëve dhe zyrtarëve evropianë”.
Duke theksuar se masa të tilla janë të papranueshme mes aleatëve, partnerëve dhe miqve, Costa shtoi: “BE-ja është e vendosur të mbrojë lirinë e shprehjes, rregullat e drejta digjitale dhe sovranitetin e saj rregullator”.
Nërkaq, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha: “Liria e shprehjes është themeli i demokracisë sonë të fortë evropiane. Ne jemi krenarë për këtë dhe do ta mbrojmë”.
Departamenti amerikan i Shtetit kishte vendosur kufizime vizash për pesë persona, me arsyetimin se ata kishin ushtruar presion mbi platformat digjitale për “censurimin e opinioneve të amerikanëve”.
Mes atyre që u vendosën në listën e kufizimeve janë ish-komisari i BE-së, Thierry Breton, drejtori i Qendrës për Luftimin e Urrejtjes Digjitale, Imran Ahmed, drejtoresha e Indeksit Global të Dezinformimit, Clare Melford, si dhe drejtueset e OJQ-së gjermane “HateAid”, Anna-Lena von Hodenberg dhe Josephine Ballon.
Breton, i cili më parë ka shërbyer edhe si ministër i Financave i Francës, luajti rol kryesues në hartimin e rregullave të rrepta digjitale gjatë mandatit të tij në Komisionin Evropian në vitet 2019-2024.
