Një grua palestineze është vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga zjarri i forcave izraelite, ndërsa sulme ajrore janë regjistruar në veri të Gazës, në një tjetër shkelje të marrëveshjes së armëpushimit.
Burime mjekësore bënë të ditur se herët të premten, forcat izraelite qëlluan për vdekje Sabah Ahmed Ali Abu Jameh, 62 vjeçe, në perëndim të Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës. Të njëjtat burime raportuan se disa persona të tjerë u plagosën kur trupat izraelite hapën zjarr të rëndë drejt çadrave ku strehohen palestinezë të zhvendosur me forcë, në zonën qendrore të Khan Younis dhe në Al-Mawasi, një zonë bregdetare ku janë strehuar mijëra civilë.
Ndërkohë, dëshmitarë në terren thanë se ushtria izraelite ka kryer sulme ajrore dhe shembje të qëllimshme të ndërtesave në zonat lindore të qytetit të Gazës, në veri të enklavës. Sipas burimeve mjekësore, këto operacione janë zhvilluar në zona që ndodhen nën kontrollin izraelit.
Autoritetet izraelite nuk kanë reaguar menjëherë lidhur me incidentet.
Pavarësisht armëpushimit, trupat izraelite vazhdojnë të kontrollojnë zonat tampon në jug dhe lindje të Gazës, si dhe pjesë të mëdha të veriut, duke mbajtur nën kontroll rreth 50 për qind të territorit.
Izraeli ka shkelur vazhdimisht marrëveshjen e armëpushimit të 10 tetorit, e cila synonte ndalimin e luftës shkatërruese në Gaza, luftë që ka vrarë mbi 71 mijë palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, dhe ka plagosur më shumë se 171 mijë të tjerë që nga tetori 2023.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, të paktën 451 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1,200 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite. /mesazhi
