Jakarta ka kaluar Tokyon si qyteti më i populluar në botë, sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara që përdor kritere të reja për të dhënë një panoramë më të saktë të urbanizimit të shpejtë që po nxit rritjen e megaciteteve.
Raporti World Urbanisation Prospects 2025 i Departamentit të OKB-së për Çështjet Ekonomike dhe Sociale vlerëson se kryeqyteti indonezian ka rreth 42 milionë banorë. Pas një rritjeje të vazhdueshme, Dhaka, kryeqyteti i Bangladeshit, renditet e dyta me 37 milionë banorë.
Tokyo, në studim përkufizohet si një megalopol që përfshin tre prefektura fqinje, ka rënë në vendin e tretë me 33 milionë banorë. Kjo shënon një ndryshim të fortë krahasuar me raportin e vitit 2018, kur Tokyo renditej e para me 37 milionë banorë. Sipas zyrtarëve të OKB-së, ndryshimi vjen si rezultat i një metodologjie të re, më të qëndrueshme në kategorizimin e zonave urbane, atyre qytetëse dhe rurale.
Patrick Gerland, drejtues i sektorit të vlerësimeve dhe projeksioneve të popullsisë në OKB, tha se vlerësimet e mëparshme mbështeteshin në të dhëna të vendeve të ndryshme që përdornin përkufizime të paunifikuara. “Vlerësimi i ri ofron një përcaktim më të krahasueshëm ndërkombëtarisht të shtrirjes urbane, bazuar në kritere të ngjashme demografike dhe hapësinore”, u shpreh ai.
Raporti thekson se numri i njerëzve që jetojnë në qytete është dyfishuar që nga viti 1950, kur vetëm 20% e popullsisë botërore prej 2.5 miliardë banorësh jetonte në zona urbane. Sot, pothuajse gjysma e popullsisë prej 8.2 miliardësh jeton në qytete.
Sipas projeksioneve, deri në vitin 2050, dy të tretat e rritjes së popullsisë globale do të ndodhin në qytete, ndërsa pjesa tjetër në qyteza e zona të vogla urbane. Numri i megaciteteve, të përkufizuara si zona me mbi 10 milionë banorë, pritet të rritet nga 8 në vitin 1975 në 33 në vitin 2025.
Nga dhjetë qytetet më të populluara në botë, nëntë ndodhen në Azi: Jakarta, Dhaka, Tokio, New Delhi, Shanghai, Guangzhou, Cairo, Manila, Kolkata dhe Seul.
“Urbanizimi është një forcë përcaktuese e kohës sonë”, tha Li Junhia, nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet ekonomike dhe sociale. “Kur menaxhohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe strategjike, ai mund të hapë rrugë transformuese për veprimin klimatik, rritjen ekonomike dhe barazinë sociale.”
Zona metropolitane e Tokios me 33 milionë banorë shtrihet përtej kufijve të qytetit dhe përfshin prefekturat Saitama, Chiba dhe Kanagawa, ku ndodhet edhe Yokohama me 3.7 milionë banorë.
Sipas kritereve të reja, Tokio ka qenë qyteti më i populluar në botë deri rreth vitit 2010, kur u tejkalua nga Jakarta. Ndërsa rajoni i gjerë i Tokios ka ndjekur prirjen e rënies demografike që ka përfshirë Japoninë vitet e fundit, vetë qyteti po përjeton rritje.
Sipas qeverisë metropolitane të Tokios, popullsia e 23 lagjeve speciale dhe 26 qyteteve më të vogla që përbëjnë atë që shpesh quhet “Tokio i mirëfilltë” është mbi 14 milionë banorë, nga 13.2 milionë një dekadë më parë. Migrimi drejt kryeqytetit japonez, i cili u ngadalësua gjatë pandemisë së Covid-19, është rikthyer, i nxitur kryesisht nga të rinjtë që kërkojnë mundësi punësimi dhe arsimimi, sipas ministrisë së punëve të brendshme.
