Forcat qeveritare jemenase kanë marrë sot nën kontroll një kamp të rëndësishëm ushtarak në Hadhramaut, në lindje të vendit, pas përleshjeve me Këshillin Jugor të Tranzicionit (STC), njoftuan autoritetet lokale, transmeton Anadolu.
Forcat e Mbrojtjes së Kombit morën kontrollin e kampit të Brigadës 37 në zonën Al-Khashaa, në veri të provincës, tha guvernatori i Hadhramautit, Salem Al-Khanbashi, në një deklaratë të transmetuar nga televizioni zyrtar “Yemen TV”.
Nuk u dhanë detaje të tjera lidhur me marrjen e kampit, i cili konsiderohet një nga strukturat më strategjike ushtarake në Hadhramaut.
Më herët, guvernatori kishte njoftuar nisjen e një operacioni ushtarak për të marrë nën kontroll pikat ushtarake në provincë, duke thënë se qëllimi është neutralizimi i armëve dhe mbrojtja e provincës nga “skenarë të rrezikshëm që i shërbejnë vetëm kaosit”.
Operacioni, i quajtur “Marrja e Kampeve”, synon dorëzimin paqësor dhe të rregullt të lokacioneve ushtarake në gjithë provincën, kishte deklaruar më herët Khanbashi.
“Kjo nismë nuk synon asnjë komponent politik apo social, nuk synon civilët dhe nuk ndikon në jetën apo interesat e qytetarëve në asnjë mënyrë”, shtoi ai.
Ai hodhi poshtë pretendimet se ky veprim përbën përshkallëzim ose shpallje lufte kundër STC-së, duke e përshkruar në vend të kësaj si një masë parandaluese për të hequr armët nga kaosi dhe për të parandaluar përdorimin e kampeve ushtarake si kërcënim për sigurinë e Hadhramautit dhe banorëve të tij.
Avionët luftarakë të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite goditën sot forcat besnike ndaj STC-së në provincën Hadhramaut, pasi këto kishin ngritur pritë ndaj trupave qeveritare jemenase, tha për Al-Jazeera zëvendësministri i Informacionit i Jemenit, Mohammed Qizan.
Jemeni ka qenë skenë e një përshkallëzimi të paprecedentë që nga e marta, pasi forcat e STC-së morën kontrollin e Hadhramautit dhe Al-Mahras në fillim të dhjetorit. Dy provincat përbëjnë gati gjysmën e territorit të Jemenit dhe ndajnë kufij me Arabinë Saudite.
Arabia Saudite akuzoi të njëjtën ditë Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) se po “shtyjnë forcat e STC-së të kryejnë operacione ushtarake” përgjatë kufirit jugor të mbretërisë në Hadhramaut dhe Al-Mahra. Abu Dabi i mohoi akuzat.
STC-ja thotë se qeveritë e njëpasnjëshme jemenase kanë margjinalizuar rajonet jugore politikisht dhe ekonomikisht dhe kërkon shkëputje. Autoritetet jemenase e hedhin poshtë këtë pretendim dhe riafirmojnë përkushtimin e tyre ndaj unitetit të vendit.
