Ballina Lajmet Rajon dhe Botë BE jep një tjetër qëndrim për Jerusalemin

BE jep një tjetër qëndrim për Jerusalemin

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të hënën se beson që shumica apo të gjitha vendet evropiane do t’i zhvendosin ambasadat e tyre në Jerusalem dhe do ta njohin atë si kryeqytetin e Izraelit, duke ndjekur vendimin për ta bërë një gjë të tillë nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Duke folur në Bruksel së bashku me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, kryeministri Netanjahu tha se njohja e Jerusalemit nga presidenti Trump “vë faktet drejtpërdrejt në tryezë” dhe se “paqja mbështetet mbi realitetin”.

“Jeruzalemi është kryeqytet i Izraelit. Askush nuk mund ta mohojë këtë. Kjo nuk e pengon paqen, e bën paqen të mundur sepse njohja e realitetit është thelbi i paqes, është themeli i paqes”, tha ai.

Mogherini tha se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë konsensusin ndërkombëtarë për Jeruzalemin derisa të zgjidhet statusi i tij si pjesë e negociatave ndërmjet Izraelit dhe palestinezëve, gjë që nënkupton se nuk do t’i bashkohen vendimit të shpallur javën e kaluar nga presidenti Trump.

“Ne besojmë se zgjidhja e vetme realiste e konfliktit ndërmjet Izraelit dhe Palestinës është dy shtete me Jerusalemin si kryeqytet i shtetit të Izraelit dhe shtetit të Palestinës”, tha Mogherini.

Exit mobile version