Ballina Autorë Opinione John Esposito i mësoi Perëndimit ta kuptojë Islamin pa paragjykime

John Esposito i mësoi Perëndimit ta kuptojë Islamin pa paragjykime

Profesor John L Esposito në Qendrën për Mirëkuptim Musliman-Krishter të Universitetit Georgetown, të cilën e themeloi në vitin 1993 (Mirësjellje e Universitetit Georgetown)

Dijetari që formësoi mënyrën se si një brez i tjetër e perceptoi botën islame u nda nga jeta më 15 korrik. Për ne që e patëm udhërrëfyes e mentor, guximi i tij peshonte po aq sa edhe vepra e tij shkencore.

Më 15 korrik, Jean Esposito i dha lajmin ekipit tonë në Qendrën “Princ Alwaleed bin Talal” për Mirëkuptimin Muslimano-Kristian (ACMCU) në Universitetin e Georgetown-it se bashkëshorti i saj, John, kishte ndërruar jetë.

Ishte 86 vjeç dhe u nda nga jeta në Filadelfia, si pasojë e komplikimeve pas një ndërhyrjeje në zemër.

I lindur në Bruklin në vitin 1940, John Esposito ishte studiues i Lindjes së Mesme e shkencave fetare, si dhe profesor emeritus i shquar i fesë, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studimeve islame në Shkollën e Shërbimit të Jashtëm “Edmund A. Walsh” pranë Georgetown-it.

Ai ishte drejtori themelues i ACMCU-së dhe i nismës “The Bridge Initiative” (Nisma Ura) për Mbrojtjen e Pluralizmit dhe Luftimin e Islamofobisë, ku kam pasur privilegjin të punoj krah tij që nga viti 2017.

Lajmi i ndarjes së tij nga jeta e tronditi thellë ekipin tonë. Shumica prej nesh e kishim takuar për herë të fundit vetëm në maj të këtij viti, gjatë takimit tonë vjetor në kampusin e Georgetown-it në Uashington.

Teksa shkruaj këto rreshta, pyes veten se çfarë mund të thuhet për një njeri me një ndikim kaq të jashtëzakonshëm, trashëgimia e të cilit nuk mund të nxinte kurrë në një faqe të vetme.

Ai botoi 55 libra — pjesa më e madhe me shtëpinë botuese Oxford University Press — pa numëruar këtu me dhjetëra artikuj, shkrime opinioni, dëshmi publike e kontribute nga më të ndryshmet.

Deri në ditët e tij të fundit, po punonte për autobiografinë e vet, ku po përshkruante momentet më kyçe që lanë gjurmë në karrierën e tij, nga bota akademike te marrëdhëniet ndërkombëtare.

Mentor për shumë prej nesh

Për herë të parë e kam takuar më se një dekadë më parë: i mora me vete një pirg nga librat e tij në një leksion publik që po mbante dhe i kërkova t’i nënshkruante. Profesori im në Universitetin e Salcburgut në Austri përdorte leksionet e tij të regjistruara gjatë kohës që ligjëronte në Pensilvani.

E njoha më mirë në vitin 2014, kur e ftova si folës kryesor në një konferencë ndërkombëtare mbi studimet e Islamofobisë.

Që nga ajo kohë ruajtëm kontaktet, e më vonë më afroi pranë ekipit të The Bridge Initiative. Me kalimin e kohës, ai u bë për mua një mentor dhe një mik i çmuar.

Më pas, përgjatë viteve kam takuar me qindra gazetarë, zyrtarë, politikanë e akademikë, të cilët në një periudhë të jetës së tyre kishin mësuar prej tij.

E përditshmja International Herald Tribune e pati cilësuar dikur me të drejtë si “studiuesin më me ndikim të Islamit në SHBA”. Të shumta ishin edhe çmimet e vlerësimet që mori përgjatë gjithë karrierës së tij.

Mbetet i vetmi studiues që u zgjodh kryetar i të dyja organizatave më me peshë në këtë fushë: Shoqatës së Studimeve të Lindjes së Mesme (MESA) dhe Akademisë Amerikane të Feve.

Përtej veprimtarisë shkencore, ai shërbeu edhe si këshilltar për Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe për qeveri të ndryshme në Evropë e Azi.

E vërteta dhe guximi

Përveç peshës që pati në ngritjen e konsolidimin e institucioneve — duke i dhënë formë jo vetëm studimit të Islamit dhe politikës në fund të viteve ’70, por edhe fushës së re të studimeve mbi Islamofobinë në fillim të viteve 2000 — John ishte mbi të gjitha një njeri i së vërtetës dhe i guximit.

Në fund të çdo email-i të tij qëndronte kjo thënie e Kryepeshkopit Desmond Tutu:

“Jam i bindur se nëse qëndrojmë neutralë përballë padrejtësisë, kemi zgjedhur anën e shtypësit… Bota duhet të mësojë çfarë do të thotë respekt, dëgjim dhe falje.”

Një tjetër thënie e tij e preferuar ishte ajo e Anaïs Nin:

“Jeta tkurret ose zgjerohet në përpjesëtim të drejtë me guximin e secilit.”

Këto nuk ishin vetëm fjalë që i pëlqente t’i citonte; ishin parime që ai i jetësoi plotësisht, si njeri i besimit dhe i aksionit.

John nënshkroi me mijëra peticione e deklarata publike ku kërkohej lirimi i disidentëve politikë dhe kolegëve të tij akademikë — që nga bota arabe e deri në zemër të Evropës — si dhe në mbrojtje të fjalës së lirë. Për më tepër, ai kontribuonte edhe materialisht për këto kauza.

Ishte një katolik i përkushtuar, por ushqente një respekt të thellë për Islamin dhe qytetërimin e tij, ashtu siç bënte për çdo besim tjetër.

John ishte një njeri fisnik, i udhëhequr nga besimi e integriteti.

Por ndoshta më e rëndësishmja nga të gjitha, përtej arritjeve në jetën akademike e publike: përkushtimi dhe dashuria e tij për Jean-in, bashkëshorten dhe partneren e tij të jetës, ishte diçka vërtet admiruese. Fliste për të me ngrohtësi pothuajse në çdo bisedë që bënim.

Gjente gjithnjë kohë për të dërguar një email apo mesazh inkurajues në çaste nga më të papriturat — por gjithmonë në momentin e duhur.

Mbi të gjitha, ai ishte vetë mishërimi i figurës së intelektualit. Siç ka shkruar Noam Chomsky: “përgjegjësia e intelektualit është të thotë të vërtetën”. E kjo thënie e përshkruan më së miri John Esposito-n.

Ajo çka ai ndërtoi rreth studimit të Lindjes së Mesme, Islamit dhe politikës ka lënë gjurmë te unë dhe te shumë të tjerë. Pa rrugën që ai çeli, nuk do të ishim këtu ku jemi sot. Të jemi përgjithmonë mirënjohës. /observer.al

Nga: Farid Hafez

 

Farid Hafez
Farid Hafez është Profesor i Shquar Vizitor për Studime Ndërkombëtare në Williams College dhe Studiues i Lartë Jo-rezident në “The Bridge Initiative” të Universitetit Georgetown. Ai është themeluesi dhe kryeredaktori i “Islamophobia Studies Yearbook” (që nga viti 2010) në gjermanisht dhe anglisht, si dhe bashkëredaktor i raportit vjetor “European Islamophobia Report” (që nga viti 2015), që mbulon mbi 25 vende evropiane. Hafez paraqitet rregullisht në mediat kryesore në mbarë botën dhe është ndër studiuesit më të njohur në botë në fushën e Islamofobisë. Si autor austriak, Hafez-i është nderuar me çmimin prestigjioz Bruno Kreisky për Librin Politik të Vitit 2010 për antologjinë e tij mbi islamofobinë në Austri. Ai ka mbi 50 botime dhe publikon në revista të njohura ndërkombëtare.
Exit mobile version