Ballina Lajmet Kosovë Kadri Veseli në prani të minatorëve nënshkroi Ligjin për “Trepçën”

Kadri Veseli në prani të minatorëve nënshkroi Ligjin për “Trepçën”

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në një ceremoni të veçantë, në prani të menaxhmentit të Ndërmarrjes “Trepça” dhe një grupi të minatorëve, ka nënshkruar Ligjin për Trepçën, i miratuar pak ditë më parë nga Kuvendi.

Duke i uruar minatorët për ligjin e ri, kryeparlamentari Veseli tha se që nga sot hapet një epokë e re për “Trepçën”, për ta mbajtur atë si një tërësi unike dhe njëkohësisht, për t’i hapur perspektivë zhvillimore.

“Ligji për ‘Trepçën’ nuk ka asnjë konotacion politik. Përkundrazi, konotacioni i tij është tërësisht ekonomik, i cili i hapë perspektivë kësaj ndërmarrjeje për t’u transformuar në një shoqëri aksionare, e cila do t’i nënshtrohet ekonomisë së lirë të tregut. Kjo ndërmarrje deri tani është mbajtur falë këtyre minatorëve, të cilët, ligji i parasheh si bashkëpjesëmarrës të transformimit”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Nëpërmjet këtij ligji, shtoi kryetari Veseli, “Trepçës” i ofrohet perspektivë për rritjen e vlerës së prodhimit të saj, nga një produkt bazë minerar, në një produkt të avancuar, duke përmirësuar kështu edhe bilancin tregtar të Kosovës.

Kreu i Kuvendit theksoi se ky është vetëm fillimi dhe se pas hyrjes në fuqi të ligjit, do të ndërmerren shumë hapa të tjerë institucionalë, në funksion të zhvillimit dhe ecjes përpara.

Drejtori i Ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, tha se ndihen më fat që janë pjesë shënimit të kësaj epoke të re. Ai tha se tani pritjet e qytetarëve janë të shumta dhe se duhet të merret përgjegjësi që ky aset nacional të vihet në funksion të zhvillimit të vendit, rritjes së mirëqenies së minatorëve dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”, falënderoi kryetarin Veseli dhe institucionet e vendit në përgjithësi, që, sipas tij, nëpërmjet këtij ligji, i kanë hapur perspektivë të re Trepçës dhe zhvillimit më të madh ekonomik të të gjithë vendit. Ai tha se më në fund është realizuar dëshira dhe kërkesa 16-vjeçare e minatorëve të saj.

Exit mobile version