Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kajro, kërkohet arrestimi i 6 personave pas zjarrit në stacionin hekurudhor

Kajro, kërkohet arrestimi i 6 personave pas zjarrit në stacionin hekurudhor

Prokuroria e Egjiptit urdhëroi arrestimin e 6 personave të cilët ndërlidhen me zjarrin në stacionin kryesor hekurudhor në Kajro ku humbën jetën dhe u plagosën dhjetëra persona, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeporkurori i Egjiptit Nabil Sadek, pas hetimeve lëshoi urdhër arresti për dy drejtues të trenit dhe 4 punonjës të stacionit hekurudhor. Aksidenti ndodhi si pasojë e një grindjeje mes drejtuesve të trenit.

Të paktën 25 persona humbën jetën të mërkurën në një zjarr në stacionin kryesor të trenit në Kajro. Ministri i Shëndetësisë, Hale Zayid tha të enjten se 43 persona janë plagosur.

Hekurudhat kombëtare të Egjiptit konfirmuan për aksidentin në stacionin qendror të hekurudhave Ramses në Kajro. Ata shtuan se zjarri ka ndodhur pasi treni doli nga binarët dhe u përplas me një barrierë sigurie, që çoi në shpërthimin e rezervuarit të karburantit.

Sistemi hekurudhor në Egjipt është në kushte të këqija sigurie për shkak të menaxhimit të dobët dhe mungesës së investimeve.

Në një zjarr që përfshiu një tren pasagjerësh pranë Kajros në vitin 2002, humbën jetën mbi 350 persona.

Exit mobile version