Më shumë se gjysmë milioni njerëz në Kamboxhia janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të dy javëve të luftimeve vdekjeprurëse në kufi me Tajlandën fqinje, tha të dielën Ministria e Brendshme në Phnom Penh.
“Deri tani, më shumë se gjysmë milioni qytetarë kamboxhianë, përfshirë gra dhe fëmijë, po përballen me vështirësi të mëdha për shkak të zhvendosjes së detyruar nga shtëpitë dhe shkollat e tyre për t’u shpëtuar predhave të artilerisë, raketave dhe bombardimeve ajrore të kryera nga avionët F-16 të Tajlandës”, tha ministria në një deklaratë, duke dhënë numrin total të evakuuarve si 518.611.
Rreth 400.000 njerëz janë zhvendosur në Tajlandë si pasojë e konfliktit të rindezur kufitar, sipas Bangkokut.
Luftimet e rinovuara mes dy vendeve të Azisë Juglindore këtë muaj, duke përfshirë përdorimin e tankeve, dronëve dhe artilerisë, kanë vrarë të paktën 22 persona në Tajlandë dhe 19 në Kamboxhia, sipas zyrtarëve.
Konflikti lind nga një mosmarrëveshje territoriale lidhur me shënjimin kufitar të periudhës koloniale përgjatë një kufiri prej rreth 800 kilometrash, si dhe disa rrënojave të tempujve të lashtë në zonën kufitare. Të dyja palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për nxitjen e luftimeve dhe kanë shkëmbyer akuza për sulme ndaj civilëve, pasi përplasjet pesëditore në korrik lanë dhjetëra të vrarë.
Kina, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, kryesuesi i bllokut rajonal ASEAN, Malajzia, dhe Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për armëpushim.
Ministrat e jashtëm të vendeve të ASEAN-it, përfshirë Kamboxhian dhe Tajlandën, pritet të takohen të hënën në Kuala Lumpur, ku do të diskutojnë konfliktin.
