Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kanada, vazhdon protesta e shoferëve të kamionit kundër vaksinimit të detyrueshëm

Kanada, vazhdon protesta e shoferëve të kamionit kundër vaksinimit të detyrueshëm

Shoferët e kamionit po protestojnë prej 12 ditësh në kryeqytetin Otava të Kanadasë kundër vendimit të qeverisë për vaksinimin e detyrueshëm ndaj koronavirusit të ri (COVID-19) të shoferëve që kalojnë kufirin, raporton Anadolu Agency (AA).

Kamionët e parkuar në rrugët kryesore të qytetit kanë vështirësuar jetën e përditshme të banorëve të Otavës.

Zv/shefi i policisë së Otavës, Steve Bell, tha se në një të katërtën e rreth 400 kamionëve të parkuar në qendër të qytetit ka edhe fëmijë dhe se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre.

“Jemi të shqetësuar për fëmijët e ekspozuar ndaj monoksidit të karbonit, tymit, zhurmës dhe të ftohtit. Gjithashtu jemi të shqetësuar për qasjen e këtyre fëmijëve në shërbimet shëndetësore, higjienën dhe nevojat e duhura ushqimore”, tha Bell, duke shtuar se kishin kërkuar ndihmë nga Shoqata e Ndihmës për Fëmijët.

Sipas ligjit kanadez, në rastet kur policia kërkon ndihmë nga shoqata përkatëse, fëmijët largohen nga familjet e tyre dhe u jepen familjeve kujdestare.

Që nga 29 janari kur nisi protesta e shoferëve të kamionëve, janë ndaluar 23 persona me akuza të ndryshme. Gjithashtu mbi 1.300 persona janë gjobitur në 12 ditët e fundit.

Policia tha se personat në fjalë më së shpeshti u ndaluan dhe u gjobitën në disa raste për rezistencë ndaj policisë, përpjekje për ikje nga policia, posedim droge, drejtim pa leje të automjeteve, si dhe për shkelje të dënimit me kusht dhe kërcënime.

Agjencia Kanadeze e Kufirit njoftoi se gjatë ditës së djeshme kalimi kufitar më i ngarkuar midis SHBA-së dhe Kanadasë mbeti i mbyllur pasi drejtuesit e kamionëve bllokuan rrugët hyrëse.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau, u shfaq në publik të hënën për herë të parë në më shumë se shtatë ditë pasi u infektua me koronavirus dhe tha se protestat duhet të ndalojnë.

“DIsa individë po përpiqen të bllokojnë ekonominë tonë, demokracinë tonë dhe jetën e përditshme të qytetarëve”, tha Trudeau, duke shtuar se “kjo duhet të ndalet”.

Drejtuesit e mjeteve kërkojnë anulimin e vendimit të Qeverisë Federale të Kanadasë për vaksinimin e detyrueshëm. Protestat nisën më 29 janar me bllokimin e rrugëve të kryeqytetit kanadez. /aa

Exit mobile version