Dogana e Kosovës ka njoftuar se kanë zbuluar rreth 2 kilogramë lëndë narkotike, për të cilën dyshohet se është kokainë, e fshehur në mënyrë të sofistikuar brenda një automjeti në hyrje të territorit të Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli i detajuar është kryer me ndihmën e skanerit X-ray, një pajisje donacion i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila ka mundësuar lokalizimin e saktë të lëndës dhe ka lehtësuar punën e zyrtarëve.
Rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente, ndërsa ndaj personave të përfshirë do të ndërmerren veprimet ligjore në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës mbeten të përkushtuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të narkotikëve, përmes bashkëpunimit ndërinstitucional, shkëmbimit të inteligjencës dhe përdorimit të kapaciteteve moderne teknike, me qëllim parandalimin e veprimtarive ilegale dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe të kufijve të Republikës së Kosovës”, theksohet në njoftim.
