Ballina Lajmet Kosovë Kastrati: Ndërtuam 30 shtëpi për skamnorë, këtë vit edhe 30 të tjera

Kastrati: Ndërtuam 30 shtëpi për skamnorë, këtë vit edhe 30 të tjera

Numri i familjeve të varfra po shtohet në Kosovë, megjithatë ka edhe disa njerëz, që janë të pakët, por që merren çdo ditë me brengën e tyre.

Ndër ta është edhe Halil Kastrati. Ai u kthye nga diaspora dhe mori një mision humanitar, duke ndihmuar në mënyra të ndryshme qytetarët e Kosovës të cilët kanë mbetur pa gjërat më elementare dhe pa kulm mbi kokë.

Kastrati është themelues i Shoqatës bamirëse “Jetimat e Ballkanit” dhe bashkë me bashkëpunëtorët e tij të vullnetit të mirë identifikojnë dhe ndihmojnë familjet në nevojë.

Ai ka fituar besimin e bizneseve dhe njerëzve të cilët e përkrahin shoqatën.

Për një vit e gjysmë ka arritur të ndërtojë 30 shtëpi për familjet skamnore. Ndërsa thotë se këtë vit synon t’i ndërtojë 30 sosh.

“Për një vit e gjysmë kemi arrit me i bërë më kulm mbi kokë 29 familje. 20 shtëpi e 9 banesa. Nuk ka dy javë ditë që ne brenda 10 dite kemi blerë 2 banesa në qytetin e Skenderajt për dy familje. Po synojmë me arrit që këtë vit me i bë 30 familje me strehë. Një lajm i mirë është që ne kemi bërë një kërkesë në Kuvendin Komunal të Prizrenit për 30 ari tokë edhe me i nis 10 shtëpi menjëherë dhe shpresoj që kërkesa do të miratohet”, thotë ai.

Halili gjatë një interviste për Agjencinë e Lajmeve Ekonomia Online, rrëfen se çka e ka shtyrë për të marrë këtë mision humanitar dhe për llojet e ndihmave që kanë dhënë deri tash.

Pavarësisht se me profesion është hoxhë, Kastrati kryen punën e një humanisti.

Ai thotë se shoqata që udhëheq nuk bën dallime sa i përket ndihmesës që ofron, duke bërë të ditur se në kuzhinën që operon në Prizren ushqehen edhe qytetarë të besimit të krishterë, por edhe pjesëtarë të minoriteteve.

“Është parim i joni fetar që varfëria i ka dyert hapura për të gjithë ne. Në  kuzhinën tonë ushqehen edhe pjesëtarë të besimit katolik, si dhe komunitetet tjera siç janë boshnjakët, turqit, ashkalinjtë, romët. Ne jemi në shërbimin e nevojtarëve pa dallim ngjyre e feje”, thotë Halil Kastrati.

Shoqata Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” është themeluar në nëntor të vitit 2009 dhe përveç kuzhinës ushtron edhe aktivitete tjera humanitare.

Ndërtimi i shtëpive, ndihma mujore financiare për jetimë, janë aktivitet tjera të tjera që këta djelmosha kanë në programin e tyre ditor.

 

Exit mobile version