Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Katar, rifillon puna me prani fizike pas ndërprerjes së sulmeve iraniane

Katar, rifillon puna me prani fizike pas ndërprerjes së sulmeve iraniane

Katari njoftoi se ka rifilluar punën me prani fizike në të gjitha institucionet qeveritare pas gati tre javësh pune në distancë për shkak të sulmeve iraniane, të cilat janë zbutur ditët e fundit, transmeton Anadolu.

Punonjësit filluan sot të kthehen në vendet e punës pas një vendimi zyrtar për rikthimin e operacioneve normale, raportoi gazeta nga Katari, “Al-Raya”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Majed al-Ansari në një konferencë për media në Doha tha se vendimi u mor “pas një konsultimi sigurie”, duke theksuar se “jeta nuk mund të ndërpritet pafundësisht”.

Ai shtoi se Katari nuk është përballur me sulme iraniane ditët e fundit, duke theksuar gatishmërinë e vendit për çdo zhvillim dhe ekzistencën e “planeve emergjente”.

Qeveria e Katarit të hënën njoftoi se puna normale do të rifillojë në të gjitha institucionet qeveritare duke filluar nga 24 marsi.

Autoritetet vendase kishin miratuar planet për punë në distancë për të gjitha institucionet qeveritare më 28 shkurt, si përgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe kundërpërgjigjes së Teheranit ndaj Izraelit dhe asaj që Irani e përshkroi si “baza dhe interesa amerikane” në rajon, përfshirë Katarin.

Më 8 mars, autoritetet zgjatën punën në distancë, duke lejuar deri në 70 për qind të punonjësve në çdo institucion të punojnë nga shtëpia, me përparësi për nënat dhe disa grupe të caktuara deri në një njoftim të ri.

Katari nuk ka publikuar bilanc të përditësuar të sulmeve iraniane deri të martën në mëngjes, por llogaritjet e Anadolu-t bazuar në deklaratat e Ministrisë së Mbrojtjes tregojnë se të paktën 206 raketa, 87 dronë dhe dy avionë luftarakë janë interceptuar.

Sulmi i fundit i raportuar iranian ndaj Katarit ndodhi më 19 mars, kur raketat synuan qytetin industrial Ras Laffan, një qendër kyçe për sektorin global të energjisë.

Exit mobile version