Komisionerja e Zgjerimit të Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos tha sot se Ukraina nuk do të bëhet anëtare e BE-së deri në fillim të vitit 2027, transmeton Anadolu.
“Mendoj se të gjithë në këtë sallë e dinë se është e pamundur që Ukraina të bëhet anëtare e BE-së më 1 janar 2027”, tha ajo në një aktivitet të organizuar nga “Politico”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka promovuar një afat kohor të përshpejtuar, por Kos theksoi se procesi i anëtarësimit në BE nuk mund të lidhet realisht me afate të caktuara.
“Gjithashtu mund ta kuptoj pse presidenti Zelenskyy po e thotë këtë datë. Ai e di se në të ardhmen e afërt Ukraina nuk do të jetë në gjendje të bëhet anëtare e NATO-s, kështu që po kërkon garanci sigurie”, tha ajo.
Ajo shtoi se proceset e zgjerimit historikisht kanë qenë të suksesshme kur ndjekin një sekuencë të qartë.
“Së pari ju nevojitet paqja, kjo është e rëndësishme. Pastaj duhet të bëni reformat”, tha eurokomisarja Kos duke shtuar se “Investitorët do të vijnë vetëm, e dini edhe në Ukrainë, nëse ata do të jenë në gjendje të fitojnë paratë dhe nëse investimet e tyre do të jenë të sigurta”.
Megjithatë, Kos tha se metodologjia aktuale e zgjerimit të BE-së është hartuar për “kushte paqeje”, ku vendet kandidate kanë kohë të mjaftueshme për të zbatuar reformat, duke sugjeruar se mund të nevojiten rregullime për të reflektuar realitetet aktuale gjeopolitike.
KE-ja u ka paraqitur tre mundësi vendeve anëtare për të reformuar procesin e zgjerimit, shtoi ajo, duke theksuar se çdo përparim varet nga miratimi i tyre. “Pa vendimin e shteteve anëtare, nuk mund të ecim përpara”, tha ajo.
Ndërsa ruajtja e “status quo”-s nuk shihet si e zbatueshme, ajo gjithashtu përjashton ndryshime më radikale, duke treguar në vend të kësaj “integrimin e përmirësuar gradual” si rrugën më të mundshme përpara.
“Kjo qasje do t’u lejonte vendeve kandidate të integrohen progresivisht në politika specifike të BE-së dhe të fitojnë përfitime të caktuara para se të arrijnë anëtarësimin e plotë”, tha ajo.
Për Islandën, Kos tha se rruga e vendit drejt anëtarësimit në BE mund të “shkojë shumë shpejt” nëse vendos të rifillojë bisedimet e pranimit, duke pasur parasysh integrimin e saj ekzistues përmes Zonës Ekonomike Evropiane dhe Shengenit.
Sipas saj, një referendum që pritet më vonë këtë vit do të përcaktojë nëse negociatat do të rifillojnë.
