Katari dërgoi dy avionë mallrash që transportonin ndihma humanitare në Siri, si pjesë e transportit ajror për në Damask pas rënies së regjimit të Bashar al-Asadit, transmeton Anadolu.
Ministria e Jashtme e Katarit tha se një avion që transportonte ndihma teknike dhe humanitare për popullin sirian mbërriti në aeroportin e Damaskut.
Ministria tha se ndihma teknike do të përdoret për të rivënë në funksion aeroportin, për të siguruar rrjedhën e ndihmës në Siri. “Ndihma vjen si pjesë e ‘urës ajrore’ të Katarit për të ofruar ndihmë për vëllezërit tanë në Siri dhe për të kontribuar në adresimin e kushteve të tyre humanitare”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Katarit tha se një avion tjetër ndihmash mbërriti në kryeqytetin libanez Bejrut për të transferuar ndihmat në Damask. Shoqata tha se avioni është i ngarkuar me 33 tonë ndihma humanitare, përfshirë batanije dhe pako ushqimore.
Katari deri më tani ka dërguar shtatë avionë ndihma në Türkiye, Liban dhe Jordani, për t’u dërguar në Siri përmes rrugëve tokësore.
Bashar al-Asadi, lideri i Sirisë për gati 25 vjet, u arratis në Rusi pasi grupet kundër regjimit morën kontrollin e Damaskut më 8 dhjetor, duke shënuar fundin e sundimit të partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963. Kjo erdhi pasi luftëtarët e Hayat Tahrir al-Sham çliruan qytetet kryesore në një ofensivë të shpejtë që zgjati më pak se dy javë.
