Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Katër foshnje vdesin nga uria në Gaza brenda 48 orëve, mes bllokadës...

Katër foshnje vdesin nga uria në Gaza brenda 48 orëve, mes bllokadës izraelite

Katër foshnje kanë humbur jetën nga uria dhe kequshqyerja në Gaza brenda 48 orëve të fundit, si pasojë e rrethimit izraelit dhe mungesës së ndihmës humanitare. Viktima më e fundit është Jouri Al-Masri, një foshnje tre muajshe nga Deir al-Balah, e cila vdiq të enjten pasi familja nuk arriti të gjente qumështin terapeutik që i nevojitej.

Ndër viktimat janë edhe Kenda Al-Hams, vetëm dhjetë ditëshe, dhe Nidal Shurrab, pesë muajsh, të cilët u varrosën në spitalin Nasser në Khan Younis. Po ashtu, të enjten vdiq edhe dy muajshi Ahmad Tleib. Mjekët thonë se të gjitha këto raste janë pasojë e urisë ekstreme që ka përfshirë Gazën, për shkak të mbylljes së plotë të kalimeve kufitare nga Izraeli që nga 2 marsi.

Babai i Jouri-t, Mohsen Al-Masri, tha se vajza e tij ishte e shëndetshme, por u dobësua deri në atë pikë sa u kthye në “lëkurë dhe kocka”.

Që nga maji, sipas të dhënave zyrtare palestineze, të paktën 242 persona, shumica fëmijë, kanë vdekur nga uria në Gaza. Më 19 qershor, zyrtarët shëndetësorë paralajmëruan për mungesën totale të qumështit për foshnje, por thirrjet e tyre nuk u dëgjuan.

Sipas autoriteteve palestineze, lufta në Gaza, e cila ka hyrë në muajin e nëntëmbëdhjetë, ka lënë mbi 189 mijë të vrarë që nga 7 tetori. SHBA dhe aleatët evropianë vazhdojnë të mbështesin me armë dhe fonde ushtrinë izraelite, pavarësisht akuzave për krime lufte.

Sistemi shëndetësor në Gaza është drejt kolapsit total. Spitalet që kanë mbetur në funksion përballen me mungesë të theksuar të barnave dhe pajisjeve mjekësore, ndërsa mbi 1.5 milion palestinezë të zhvendosur jetojnë në kushte urie ekstreme, pa ndihmë nga jashtë. /mesazhi

Exit mobile version