Ballina Lajmet Kosovë Katër pacientë me koronavirus në gjendje të rëndë në Klinikën Infektive

Katër pacientë me koronavirus në gjendje të rëndë në Klinikën Infektive

Infektologu Shemsedin Dreshaj thotë se aktualisht në Klinikën Infektive të QKUK-së, numri i të spitalizuarve me COVID-19, është 35, derisa theksoi se 2 pacientë nga komuna e Vushtrrisë, konsiderohet të shëruar nga koronavirusi dhe janë kthyer në shtëpi.

Në një prononcim për KosovaPress, ai theksoi se gjendja e të prekurve me COVID-19, është stabile duke përjashtuar këtu 2 pacientë të cilët janë me oksigjeno-terapi dhe 2 të intubuar.

“Momentalisht në klinikën Infektive, janë 35 të spitalizuar, përjashtuar 4 pacientë të cilët 2 prej tyre janë me oksigjeno-terapi dhe 2 prej tyre janë të intubuar, gjendja e të tjerëve është stabile”, u shpreh Dreshaj.

Sa i përket pacientëve të cilët janë liruar sot nga Klinika Infektive, ai thotë se rezultat e konfirmimit laboratorik, ende nuk i kanë, mirëpo këta të fundit kanë qenë të shëruar nga COVID-19, andaj dhe janë liruar nga kjo klinikë.

“Realisht i kemi bërë 2 lëshime sot, për 2 paciente të cilët praktikisht kanë qenë të shëruar prej koronavirusit, rezultatet e konfirmimit laboratorik ende nuk i kemi por realisht ata kanë shkuar në shtëpi, janë dy pacientë nga komuna e Vushtrrisë”, thotë Dreshaj

Kur jemi te masat mbrojtëse të cilat janë të nevojshme për trajtimin e të prekurve me COVID-19, Dreshaj bëri të ditur se janë të pajisur me të gjitha masat mbrojtëse dhe se po punohet me përkushtim.

Ndryshe, në Kosovë numri i të prekurve me koronavirus momentalisht është 250, 7 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese dhe52 të shëruar.

Exit mobile version