Kreu i organit të energjisë atomike të Kazakistanit, Almasadam Satkaliyev ka njoftuar planet për të ndërtuar central të dytë bërthamor në rajonin juglindor Almaty, ku ndërtimi i centralit të parë bërthamor filloi në fillim të këtij viti, transmeton Anadolu.
Duke folur me gazetarët pas një takimi të komisionit shtetëror për industrinë atomike në Dhomën e ulët të Parlamentit, siç raporton agjencia e lajmeve “Kazinform”, Satkaliyev tha se bisedimet në parlament identifikuan një vend të dytë të mundshëm për ndërtimin e një centrali bërthamor.
“Ky vend ndodhet në rrethin Zhambyl të rajonit Almaty. Me fjalë të tjera, centrali ynë i dytë do të ndërtohet gjithashtu në jug të vendit, ku aktualisht ka deficit energjie”, tha Satkaliyev.
Ai tha se rajoni aktualisht po furnizohet me energji elektrike përmes Korridorit Ndërkombëtar të Transportit Veri-Jug, një rrjet multi-mod prej 7.200 kilometrash me rrugë detare, hekurudhore dhe rrugore midis Indisë, Iranit, Azerbajxhanit, Rusisë, Azisë Qendrore dhe Evropës.
“Stacioni i ri do të sigurojë furnizim të besueshëm dhe të qëndrueshëm me energji”, tha ai, duke theksuar se negociatat me të gjithë furnizuesit dhe ofertuesit potencial për projektin janë aktualisht duke u zhvilluar.
“Nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar në lidhje me kompaninë kineze, CNNC (Korporata Kombëtare Bërthamore e Kinës). Megjithatë, bazuar në propozimet e paraqitura, ne e konsiderojmë atë si kontraktorin prioritar”, shtoi ai.
Në muajin gusht, korporata shtetërore e energjisë atomike ruse “Rosatom” tha se Moska dhe Astana filluan punën për ndërtimin e centralit të parë bërthamor të Kazakistanit, me studime inxhinierike që kanë filluar në fshatin Ulken në rajonin Almaty.
Një një referendum kombëtar në tetor të vitit 2024 u ra dakord për ndërtimin e centralit të parë bërthamor të vendit, me rreth 71 për qind vota pro.
Presidenti i Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev, i cili propozoi për herë të parë referendumin në vitin 2023, e përcaktoi referendumin si vendim kritik për të ardhmen e vendit, megjithëse kritikët kanë shprehur shqetësim për ndërtimin e centralit, që rrjedh pjesërisht nga trashëgimia e vendit të testimit bërthamor Semipalatinsk në verilindje.
Vendi u përdor për mbi 450 teste në epokën sovjetike përpara se të mbyllej në vitin 1991.
