Ballina Lajmet Kosovë Kërkohet përsëritje e procesit zgjedhor në Prizren

Kërkohet përsëritje e procesit zgjedhor në Prizren

Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu ka bërë thirrje që në Komunën e Prizrenit të ketë përsëritje të zgjedhjeve.

Ai ka thënë se si votues në këtë komunë shpreh shqetësimin për cenimin e integritetit zgjedhor në këtë komunë.

Kryeziu ka thënë se shkarkimi i anëtarëve të Komisionit Komunal të Zgjedhjeve, arrestimi dhe ngritja e aktakuzave ndaj mbi 100 komisionerëve zgjedhorë e bëjnë këtë proces jashtë standardëve zgjedhore.

Përkundër që votat e manipuluara po anulohen, procesi prapë mbetet I komprometuar, sepse korrigjimet teknike asnjëherë nuk janë të mjaftueshme për të rikthyer besimin publik dhe për të garantuar se rezultati përfundimtar pasqyron realisht vullnetin e lirë të qytetarëve.

“Edhe pse institucionet e drejtësisë ende nuk kanë dhënë vendime përfundimtare lidhur me përgjegjësinë individuale të kandidatëve, besimi në integritetin e përfaqësuesve të zgjedhur është dëmtuar rëndë. Në një demokraci funksionale, legjitimiteti i mandatit buron jo vetëm nga ligjshmëria formale, por edhe nga besueshmëria e procesit që e prodhon atë. Gjithashtu, edhe sikur kandidatët e përfshirë do të merrnim vendim për t’u tërhequr nga të qenit deputetë për arsye etike, mendoj që votuesit e Prizrenit nuk do të duhej të penalizohen për parregullsitë që nuk i kanë shkaktuar vetë, e aq më pak që qyteti i tyre të mbetet i papërfaqësuar në Kuvendin e Kosovës. Prandaj, duke u mbështetur në parimet themelore demokratike dhe në të drejtën tonë qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kërkoj përsëritjen e zgjedhjeve në Komunën e Prizrenit, si mjeti i vetëm proporcional dhe i drejtë për të rivendosur besimin në procesin zgjedhor dhe në përfaqësimin politik të qytetarëve”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

109 persona janë arrestuar nën dyshimin për manipulim të votave në Komunën e Prizrenit, kurse ndaj 23 prej tyre është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Exit mobile version