Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Këshilli i Evropës i heq imunitetin ish-sekretarit të përgjithshëm për dosjet e...

Këshilli i Evropës i heq imunitetin ish-sekretarit të përgjithshëm për dosjet e Epsteinit

Thorbjorn Jagland

Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës o ka hequr imunitetin ish-sekretarit të përgjithshëm, Thorbjorn Jagland, pas një kërkese nga autoritetet norvegjeze për të ndjekur procedura lidhur me pretendimet për lidhje me Jeffrey Epsteinin, i cili ishte i dënuar për krime seksuale, si dhe për korrupsion të rënduar, transmeton Anadolu.

Komiteti i Ministrave, që përfaqëson qeveritë e 46 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, veproi në bazë të Nenit 19 të Marrëveshjes së Përgjithshme mbi Privilegjet dhe Imunitetet e Këshillit të Evropës, pas një kërkese të 8 shkurtit nga Autoriteti Kombëtar i Norvegjisë për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimeve Ekonomike dhe Mjedisore (Okokrim).

Sipas marrëveshjes, sekretarët e përgjithshëm gëzojnë imunitet në nivel diplomatik për veprimet e kryera në kapacitetin e tyre zyrtar, edhe pas largimit nga detyra. Megjithatë, imuniteti jepet për të mbrojtur ushtrimin e pavarur të funksioneve zyrtare, jo për përfitim personal.

Sipas Komitetit të Ministrave, sekretari i përgjithshëm aktual i Këshillit të Evropës, Alain Berset, tha se ka rekomanduar heqjen e imunitetit për t’i lejuar sistemit norvegjez të drejtësisë “të bëjë punën e tij”.

“Pas zbulimeve të nëntorit të vitit 2025, mora të gjitha masat që i konsiderova të nevojshme për të mbrojtur integritetin dhe reputacionin e Këshillit të Evropës”, tha Berset, duke theksuar se një hetim i brendshëm administrativ joformal është nisur në nëntor dhe ka përfunduar në janar.

Berset gjithashtu ia referoi çështjen Drejtorisë së Mbikëqyrjes së Brendshme për të shqyrtuar nëse kishte ndodhur ndonjë dështim institucional dhe njoftoi një rishikim më të gjerë të praktikave të qeverisjes brenda organizatës.

Komiteti i Ministrave tha se Këshilli i Evropës do të bashkëpunojë me autoritetet për të lehtësuar administrimin e duhur të drejtësisë.

Muajin e kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi më shumë se 3 milionë faqe, 2 mijë video dhe 180 mijë imazhe në kuadër të Aktit për Transparencën e Dosjeve të Epsteinit, i cili u nënshkrua në ligj në nëntorin e kaluar.

Epstein u gjet i vdekur në qelinë e tij në New York në vitin 2019, derisa priste gjykimin për akuza për trafikim seksual. Në vitin 2008, ai pranoi fajësinë dhe u dënua për sigurimin e një të miture për prostitucion, por kritikët e quajnë këtë dënim relativisht të lehtë një “marrëveshje favorizuese”.

Viktimat e tij kanë pretenduar se ai operonte një rrjet të gjerë trafikimi seksual që përdorej nga anëtarë të elitës së pasur dhe politike. Ato gjithashtu kanë kritikuar publikimin e fundit të dosjeve të Epsteinit, duke theksuar se janë tepër të redaktuara dhe se shumë dokumente të rëndësishme mungojnë.

Exit mobile version