Ballina Artikuj Këto janë cilësi të besimtarëve

Këto janë cilësi të besimtarëve

Hoxhë Halil Avdulli

«E gjithe feja është moral. Ai që të kalon në moral, të ka kaluar edhe në fe!»

Mas 8 vjetësh nga shpërngulja, Muhamedi a.s. u kthye në Mekë dhe ndodhi ajo që quhet Çlirimi i Mekës. Asaj iu rikthye identiteti që Allahu e kishte caktuar për të: Qibla e Monoteizmit dhe vendi i zemrave të besimtarëve!

Në ditën pasuese, ndërsa Profeti po hynte në xhami, një grua e ndali dhe i tha:

«O Muhamed, të lutem më liro mua, mos më poshtëro para të gjallëve të arabëve. Ti tashmë i ke falur të gjithë për torturat që të kishin bërë gjatë 13 viteve.

Babai im ka ndërruar jetë dhe bashkëshorti im është larg. Pra, më bëj të mirën që Allahu të ka dhënë ty. Babai im ishte udhëheqësi i popullit të tij:

• shlyente borxhet,

• pajtonte njerëzit,

• ruante fqinjët,

• mbronte të varfërit,

• lehtësonte të mjerët,

• ushqente të uriturit,

• përhapte paqen,

• mbante barrët e të tjerëve, dhe

• ndihmonte në kohë të vështira.

Askush nuk shkonte tek ai me një nevojë dhe të largohej i zhgënjyer. Unë jam Safana, bija e Hatemit të Ta-it!»

Profeti i tha:

«Këto janë vërtet cilësitë e besimtarëve, dhe sikur babai yt të ishte mysliman, do të kishim lutur për të!»

Pastaj u tha shokëve të tij:

«Lëreni në paqe, sepse babai i saj ftonte njerëzit në vlera të larta morale!»

Këto janë vërtet cilësitë e besimtarëve! Këtu qëndron thelbi i çështjes, këtu qëndron ajo që ka rëndësi!

Feja jote e vërtetë nuk është vetëm në xhaminë tënde, as vetëm në ritualet dhe përkushtimet ndaj Zotit.

▪️ Feja jote e vërtetë është në ndershmërinë tënde në treg,

në punën tënde,

në përulësinë tënde,

në respektin ndaj prindërve,

në mirësinë ndaj motrave dhe vëllezërve,

në durimin ndaj bashkëshortes,

në mëshirën ndaj fëmijëve,

në mënyrën se si je me fqinjët!

Feja jote e vërtetë është kur mblidhet një fond për një të sëmurë dhe ti je në gjendje të ndihmosh: a jep apo i mban pasurinë për vete!

Feja jote e vërtetë është kur njerëzit flasin për të tjerët në prezencën tënde, e ti mban gjuhën dhe ruan nderin e të tjerëve!

Feja jote e vërtetë është kur mëson për mëkatet e dikujt: a e mbulon apo e shpall?

Feja jote e vërtetë është kur të besohet një sekret: a e ruan apo e tradhton?

Besimi në Allahun, namazi, agjërimi dhe të gjitha adhurimet janë detyrë ndaj Allahut. Ato përfaqësojnë lidhjen tonë me Zotin, prej së cilës marrim arsyen dhe forcën për të qenë të sjellshëm.

Sa e bukur është thënia e Ibnul-Qejmit:

«E gjithe feja është moral. Ai që të kalon në moral, të ka kaluar edhe në fe!»

Hoxhë Halil Avdulli

Exit mobile version