Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Kina bën thirrje për përmbajtje në Detin e Kuq mes embargos dhe...

Kina bën thirrje për përmbajtje në Detin e Kuq mes embargos dhe sulmeve të grupit Huthi

Kina bëri thirrje për “përmbajtje” mes embargos së vendosur ndaj Arabisë Saudite nga grupi Huthi në Jemen, transmeton Anadolu.

“Kina po e ndjek nga afër situatën në Detin e Kuq. Ne besojmë se është e rëndësishme të respektohet sovraniteti dhe siguria e të gjitha vendeve të rajonit dhe të sigurohet që rruga ndërkombëtare e lundrimit të jetë e hapur dhe e sigurt dhe të mbrohet nga të gjithë”, u tha gazetarëve në Pekin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian.

Lin po i përgjigjej një pyetjeje lidhur me vendosjen e embargos nga Huthit ndaj transportit detar saudit në rrugët detare të Detit të Kuq si dhe sulmet e tyre ndaj dy anijeve saudite.

“Kina u bën thirrje palëve përkatëse të tregojnë përmbajtje, të vazhdojnë dialogun dhe konsultimet për trajtimin e duhur të mosmarrëveshjeve dhe mospajtimeve, të shmangin përshkallëzimin e përballjes dhe të punojnë për rikthimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Gjirit sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.

Huthit të enjten herët thanë se kryen një operacion ushtarak që kishte në shënjestër dy cisterna saudite të naftës me raketa balistike, raketa lundruese dhe dronë.

Zëdhënësi i grupit, Yahya Saree tha se operacioni kishte në shënjestër cisternat saudite të naftës “Encelia” dhe “Layla” për shkelje të bllokadës detare të vendosur nga grupi, duke pretenduar se sulmet goditën drejtpërdrejt objektivat.

Të dielën e kaluar, qeveria e Jemenit e njohur ndërkombëtarisht tha se kishte penguar një avion iranian të përfundonte fluturimin drejt aeroportit ndërkombëtar të Sana-s, i cili është nën kontrollin e grupit Huthi.

Në përgjigje, Huthit akuzuan Arabinë Saudite se qëndronte pas sulmit dhe nisën sulme me raketa ndaj territorit saudit, duke i dhënë fund viteve të qetësisë.

Exit mobile version