Ambasada kineze në Serbi ka vlerësuar reagimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili hodhi poshtë dhe dënoi publikisht deklaratat raciste të publikuara nga një media në lidhje me Kinën.
Në një reagim zyrtar, ambasada theksoi se deklarata të tilla nuk përfaqësojnë qëndrimin e popullit serb dhe nënvizoi se Kina dhe Serbia ndajnë një miqësi të thellë tradicionale.
“Jemi të bindur se, nën udhëheqjen strategjike të dy krerëve të shteteve, miqësia e fortë mes Kinës dhe Serbisë do të jetë edhe më e rrënjosur në zemrat e popujve”, thuhet në reagimin e publikuar në rrjetin social X.
Ndërkohë, ambasadori kinez në Serbi, Li Ming, theksoi se strategjia “Serbia 2030” përkon me Planin e Pesëmbëdhjetë Pesëvjeçar të Kinës, duke nënvizuar përputhjen e prioriteteve zhvillimore ndërmjet dy vendeve.
Reagimi i ambasadës vjen pasi presidenti Vuçiç, duke komentuar raportimet e disa mediave për vizitën e zyrtarëve nga provinca kineze Hubei, kërkoi falje ndaj delegacionit kinez për mesazhet raciste, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë popullin serb.
