Kina kritikoi sot “sanksionet unilaterale”, të cilat nuk kanë mbështetjen e OKB-së dhe tha se kundërshton sekuestrimin “arbitrar” të anijeve nga SHBA-ja, transmeton Anadolu.
“Lëvizja e SHBA-së për sekuestrimin arbitrar të anijeve të vendeve të tjera në det të hapur shkel seriozisht ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze, Mao Ning.
“Kina kundërshton sanksionet e paligjshme dhe unilaterale dhe lëvizjet që shkelin sovranitetin dhe sigurinë e vendeve të tjera”, tha ajo.
Forcat amerikane njoftuan të mërkurën sekuestrimin e cisternës së naftës me flamur rus “Marinera”, e njohur më parë si M/V Bella 1, në Oqeanin Atlantik të Veriut për “shkelje të sanksioneve të SHBA-së”.
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Departamenti i Mbrojtjes koordinuan sekuestrimin, tha se Komanda Jugore e ushtrisë amerikane në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
“Operacioni u krye në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga një gjykatë federale amerikane pasi u gjurmua nga USCGC (Roja Bregdetare e SHBA-së) Munro”, shtoi ajo.
“Bllokada e naftës së sanksionuar dhe të paligjshme venezueliane mbetet në fuqi të plotë, kudo në botë”, tha shefi i Pentagonit, Pete Hegseth.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha se “anija po lundronte në ujërat ndërkombëtare të Atlantikut të Veriut nën flamurin shtetëror të Federatës Ruse dhe në përputhje të plotë me normat e ligjit ndërkombëtar detar”, duke paralajmëruar se po merrte “vëmendje qartësisht joproporcionale”.
Venezuela i ka dënuar veprimet e SHBA-së si “pirateri ndërkombëtare”.
